Bashkatdhetarët shpenzuan rreth 500 milionë euro në Kosovë

Prishtinë | 23 Gus 2021 | 09:52 | Nga Ekonomia Online

Bashkatdhetarët që kanë ardhur këtë verë në Kosovë, sipas hulumtimeve të bëra nga organizatat joqeveritare, kanë shpenzuar rreth 500 milionë euro. Sipas ekspertëve që i kanë bërë këto hulumtime, thuhet se të hollat e derdhura janë një infuzion për ekonominë e Kosovës, sidomos në rrethana të pandemisë.

Ariana Kasapolli/Radio Kosova

Kosova këtë vit ka shënuar numër rekord të bashkatdhetarëve që kanë vizituar vendin. Sipas Organizatës “Germin”, shpenzimet e tyre  këtë sezon kanë qenë rreth 500 milionë euro.

Lirim Krasniqi, nga Organizata joqeveritare “Germin”, organizatë kjo që merret kryesisht me çështje të diasporës, thotë se shpenzimet e bashkatdhetarëve gjatë sezonit të verës arrijnë shifrën e 500 milionë euro. Derisa sipas Krasniqit, numri i bashkatdhetarëve që kanë hyrë në Kosovë këtë sezon vere, është rreth 1 milion.

“Konsiderojmë që vizitat e diasporës gjatë verës së këtij viti, kanë pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në ekonominë e Kosovës. Sipas një vlerësimi që kemi bërë,por edhe nga organizata e tjera që bëjnë analiza të tilla, në rastin më të mirë, shifra që është derdhur në Kosovë mund të shkojë deri në 500 milionë euro. Kjo shifër e lartë është dhe infuzion për ekonominë e Kosovës, sidomos në rrethana të pandemisë kur disa biznise kishin regjistruar humbje të mëdha për shkak të mbylljes së përkohshme nga masat COVID-19”, thotë Krasniqi.

Të dhënat e Policisë së Kosovës tregojnë se në muajin qershor numri i personave që kanë hyrë përmes transportit rrugor ka qenë rreth 1milion e 900 mijë, në muajin korrik është rritur për 1milion e 33 mijë. Ndërsa, vetëm brenda 15 ditëve të muajit gusht në Kosovë kanë hyrë rreth 1 milion e 409 mijë persona.

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” numri i udhëtarëve në muajin korrik ishte mbi 340 mijë, krahasuar me periudhën e njëjtë kohore të vitit 2020, ka pasur rritje për 60 mijë e 433 udhëtarë.

Në 15 ditë të muajit gusht janë realizuar 738 fluturime me rreth 92 mijë udhëtarë.

Përveç shpenzimeve që diaspora e Kosovës bën gjatë sezonit të verës, çdo vit Kosova pranon remitenca. Vetëm vitin e kaluar mjetet e ardhura nga diaspora kanë kapur vlerën prej 980.1 milionë euro.

Të ngjashme