Bashkatdhetari Heset Vuniqi investon në Blinajë, “e kam ndjerë obligim ndaj popullit dhe familjes”

Lipjan | 30 Pri 2022 | 21:44 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Blinajë të Lipjanit sonte është hapur resorti “Andoena”, një investim i bashkatdhetarit nga Gjermania, Heset Vuniqi, me familjen e tij.

Në ceremoninë e hapjes, Vuniqi tha se këtë investim e ka ndjerë ta bëjë si obligim ndaj popullit të tij, si dhe familjes së tij, veçanërisht ndaj familjarëve që i ishin vrarë gjatë luftës së Kosovës.

Vuniqi tha se si i ri kishte migruar në Gjermani, por me mendje gjithmonë ishte në Kosovë.

I emocionuar, ai e ka falënderuar nënën e saj të cilën e quajti heroinë, që i inkurajoi atë dhe vëllezërit e motrat se “për atdheun nuk është kurrë boll të bëhet”.

“Vetëm punë, vetëm punë”, ka treguar ai porosinë e vazhdueshme të nënës.

Afaristi Vuniqi tregoi se synon që në hotelin dhe restorantin që po inaugurohet sot, do të promovojë konsumimin e prodhimeve vendore, që do të kultivohen nga fshatarët.

“Gjithashtu do të promovojmë një formë të konceptit të bashkëpunimit me bashkëfshatarët dhe fshatrat përreth, në formë të kooperativës”, tha Vuniqi, raporton Ekonomia Online.

Ai tregoi se investimet do të vazhdojnë dhe resorti do të zgjerohet. “Kompletimin e këtij resorti do ta bëjmë me standarde perëndimore”, theksoi ai.

Në ceremoninë që ishte thirrur dhe ka nisur pikërisht në kohën e Iftarit, familja Vuniqi kishte ftuar shumë miq, familjarë, bashkëqytetarë, sikurse dhe përfaqësues të odave ekonomike të Kosovës.

Në fjalën e tij, kryetari i Odës së Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës (OHT), Hysen Sogojeva, ka thënë se sikur të punonte Qeveria siç po e bën sektori privat, Kosova do të përparonte shumë më shumë.

“E kam thënë edhe Qeverive të kaluara, por edhe kësaj aktuales, punoni siç po punon sektori privat, punoni sa është i avansuar sektori privat. Po të mos ishte sektori privat, këto hotele e restorante nuk do të ishin. Këta nuk e kanë pritur shtetin por me mjete vetanake e ka ndërtuar këtë resort”, tha Sogojeva, duke përgëzuar për këtë investim.

Ruzhdi Kurtishaj, kryetar i Kuvendit të Odës Ekonomike të Kosovës, tha se familja Vuniqi është e shenjtë, pasi ia ka arritur që pas tragjedive në luftën e vitit 1999, me mjete vetanake ta ndërtojnë këtë resort.

“Ndjehem i privilegjuar që të marrë pjesë në inaugurimin e këtij resorti turistik, nga një familje e shenjtë, e cila jo vetëm që ka dhënë shumë gjak për Kosovën por ka arritur të ndërtojë pas atyre tragjedive të tmerrshme dhe atyre vdekjeve të tmerrshme, ta ndërtojnë këtë resort”, tha Kurtishaj.

Të ngjashme