BE-ja mbështet Kosovën me afro 10 milionë euro

Prishtinë | 29 Kor 2020 | 14:33 | Nga Ekonomia Online

Zyra e BE-së në Kosovë ka njoftuar se 9,985 milionë euro janë disbursuar në Thesarin e Kosovës si ndihmë nga Komisioni Evropian të cilat kanë të bëjnë me standardet e dakorduara lidhur me reformat në administratën publike dhe në menaxhimin e financave publike, raporton Gazeta Express.

“Mbështetja e BE-së për Reformën e Administratës Publike dhe Menaxhimin e Financave Publike shpërblen progresin që e bën qeveria në zbatimin e strategjive të saj dhe në arritjen e synimeve të dakorduara ndërmjet BE dhe qeverisë së Kosovës. BE është duke punuar me qeverinë e Kosovës në këto reforma që nga dhjetori i vitit 2017”, thuhet në njoftimin e Zyrës së BE’së

Komisioni Evropian pret që qeveria të përshpejtojë reformat në Administratën Publike.

“Për ta çuar këtë përpara, qeveria tani duhet të përshpejtojë dinamikën e reformave. Në veçanti, Komisioni pret që qeveria të mbetet e përkushtuar për zbatimin e paketës legjislative të Reformës së Administratës Publike dhe për hapat e nevojshëm për përmirësimin e llogaridhënies së agjencive të pavarura, të vazhdojë me politikat makroekonomike të orientuara drejt stabilitetit dhe të rris transparencën, veçanërisht sa i përket shfrytëzimit të fondeve buxhetore dhe proceseve të prokurimit publik”, thuhet në njoftim.

Tutje Zyra e BE’së njofton se kjo shumë financiare poashtu do të ndihmojë Kosovën në luftimin e pandemisë

“Kjo mbështetje e BE-së po ashtu do të ndihmojë Kosovën edhe në luftimin e pandemisë COVID-19 dhe ndikimit të saj në ekonomi dhe financa publike”, thuhet në njoftimin e Zyrës së BE’së.

Të ngjashme