“Bechtel – Enka” i kërkon edhe 50 milionë euro

Prishtinë | 04 Mar 2020 | 19:37 | Nga Ekonomia Online

Qeveria e Kosovës ka gjetur një kërkesë të re të konsorciumit “Bechtel-Enka” për rreth 50 milionë euro shtesë për përfundimin e autostradës “Arbën Xhaferi”.

Kërkesa e këtij konserciumi bazohet në një vendim të Qeverisë së kaluar që ka të bëjë me ndërtimin e tri kyçjeve të reja në këtë autostradë, raporton KTV.

Vlera e tyre është rreth 28 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër e parave është për faktin se ky konsercium po qëndron në Kosovë.

Megjithatë, Qeveria aktuale ende nuk ka përgjigje se si do ta trajtojë këtë kërkesë.

Mbi këtë bazë, “Bechtel Enka” para tre muajsh ka bërë kërkesë në Ministrinë e Infrastrukturës për t’i filluar punimet.

“Propozimi ynë për punët e reja përfshin koston indirekte të kapitalit prej 1.18 milionë eurosh në muaj (përfshirë TVSH-në), të pagueshme gjatë një periudhe prej 14.5 muajsh, duke filluar prej mesit të shtatorit të 2019-s dhe deri në datën e finalizimit……”, thuhet në letrën e “Bechtel-Enkas” për Ministrinë e Infrastrukturës që mban datën 19 dhjetor 2019.

Aty shtohet se pasi që kanë kaluar disa muaj e punët nuk kanë nisur, afati për përfundimin e tyre duhet të shtyhet për aq muaj sa është vonuar.

Sipas letrës së “Bechtel- Enkas”, që është nënshkruar nga menaxheri i këtij projekti dhe zëvendësmenaxheri, Ministria e Infrastrukturës dhe “komiteti negociues”, marrëveshja për nënshkrim është gati qysh nga shtatori i kaluar.

Sipas kësaj marrëveshjeje, zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës dhe përfaqësuesit e konsorciumit janë pajtuar që punët për tri kyçjet të kryhen për vlerën mbi 49 milionë euro. Kjo marrëveshje nuk është nënshkruar nga ish-ministri, Lekaj. Nënshkrimi i saj i ka mbetur Qeverisë së re.

“Kontraktuesi pajtohet me projektimin dhe ndërtimin e ndërprerjeve në Ferizaj dhe Viti dhe mbikalimi në Paldenicë, dhe korrigjon çdo defekt, në përputhje me dispozitat e kontratës për shumën totale të përgjithshme 49.512.521,41”, thuhet në letër.

Sipas dokumenteve që ka publikuar “Koha Ditore”, prej shtatorit kur është bërë marrëveshja, Ministria e Infrastrukturës është e obliguar të paguajë çdo muaj nga 1.18 milionë euro pavarësisht a nisin punët a jo.

Kjo shumë paguhet vetëm për faktin që ekipet e “Bechtel-Enkas” qëndrojnë në Kosovë.

Ish-ministri, Pal Lekaj, e as ministri aktual, Lumir Abdixhiku, nuk kanë pranuar të deklarohen për këtë çështje.

Të ngjashme