Beqaj fton të rinjtë të merren me inovacion, ua premton mbështetjen e Qeverisë

Prishtinë | 12 Tet 2018 | 18:35 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, gjatë fjalës së tij në hapjen e edicionit të shtatë të konferencë rajonale të teknologjisë dhe biznesit “KosICT”-së, ka përmendur objektivat e ministrisë dhe ka folur për parkun inovativ për të cilin tha se do të ndërtohet në Prizren me kosto prej 8 milionë eurove.

Ai u ka thënë pjesëmarrësve se inovacioni nuk është i pamundur nëse ata që merren me të besojnë në veten e tyre, raporton Ekonomia Online.

“Ne besojmë se mundësitë tona janë të palimituara, por duhet të bashkohemi që të rinjtë kosovarë, djemtë dhe vajzat që punojnë në Prishtinë, të kryejnë shërbime dhe të shesin me çmime evropiane”.

“Ministria e Inovacionit ka publikuar rezultatet e garës për dhënien e fondeve për organizatat joqeveritare në inovacion. Ne do të vazhdojmë me start up-e dhe do ta transformojmë një kamp ushtarak shumë të madh në një park inovativ”.

“Kjo do të jetë diçka regjionale. Këtë do ta bëjmë në bashkëpunim me Gjermaninë. Qeveria kosovare dhe Gjermania do ta bëjnë themelimin e parkut të inovacionit në Prizren, i cili do të kushtojë 8 milionë euro”.

Ministri Beqaj ka ftuar të rinjtë që të besojnë në vete dhe shtetin e tyre, raporton EO.

“Inovacioni nuk është i mundur pa bërë gabime, pa dështime. Ne do të krijojmë mundësi që edhe nëse dështoni t’ju ndihmojmë të ngriteni përsëri”.

Vjollca Çavolli, drejtoreshë e Shoqërisë së Teknologjisë Informative të Kosovës (STIKK), e vlerësoi si shumë të rëndësishme konferencën dyditore.

Në fillim të konferencës u shpërndanë certifikata për themeluesit e STIKK-ut dhe bashkëpunëtorëve të saj.

Pjesëmarrësit do të kenë mundësi të informohen për teknologjitë më të fundit përmes fjalimeve që do të mbahen në skenën kryesore dhe dytësore.

Konferenca do të zhvillohet paralelisht në sallën kryesore, sallën dytësore (të developer-ave), panairi i startup-ëve dhe inovacionit që do të mbahet në hollin e teatrit si dhe VIP Lounge, holl i rezervuar vetëm për biznes-bërje.

Qëllimi kryesor i konferencës, sipas organizatorëve, është të motivojë dhe informojë masën për mundësitë e mëdha të cilat TIK-u po i jep.

Të ngjashme