Beqaj njofton gratë për mundësinë e aplikimit për fonde, premton proces transparent

Prishtinë | 02 Gus 2018 | 13:52 | Nga Besiana Dauti

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqajl, ka mbajtur tryezë diskutimi me Dhomën e Ekonomike të Grave të Kosovës G7, rreth programit të kësaj ministrie për mbështetjen e sektorit privat.

Beqaj tha se ky takim po mbahet për të bashkëbiseduar për detajet e ndarjes së fondeve për sektorin privat, raporton Ekonomia Online.

Ai ka kërkuar prej grave që kanë ide inovative të aplikojnë për financim, duke premtuar proces transparent.

“Procesi i vlerësimit të OJQ-ve e kemi bërë në fazën përfundimtare dhe ju siguroj që kushdo që ka një projekt-propozim që është në harmoni me kërkesa që plotëson objektivat dhe kushtet ligjore do ta aprovojmë”, tha Beqaj.

“Kam marr konfirmim nga OJQ për monitorimin, iu kemi dhënë qasje për me t’i verifikuar të gjitha dokumentacionet kushdo që ka dëshirë të ketë qasje dhe më vonë pas publikimit të listave do të na jepni vërejtje dhe sugjerime që ne ta bëjmë punësim si duhet, të paanshëm në shpërndarjen e fondeve”, tha Beqaj.

“Synimi ynë është që të kemi sa më shumë ide të reja dhe biznese të grave që të ndihmohen financiarisht në këtë proces”, tha ai.

Beqaj i ftoi gratë që projekt-propozimet të mos i neglizhojnë me mungesë të dokumenteve që janë të nevojshme.  Ai theksoi se nuk dëshiron që dikush të diskualifikohet për mungesë të një dokumentacioni.

Beqaj njoftoi se procesi do të jetë i hapur nga 15 gushti, derisa bëri të ditur se bashkë me GIZ-in janë bashkuar fondet me një marrëveshje, ku ministria ka dhënë 1.2 milion euro.

“Kemi me qenë të pandjenja në vlerësim sepse qëllimi i shpenzimit të parasë publike është për projektet që kanë vlerë për shoqërinë e këto janë bizneset private”, tha Beqaj.

Arieta Pozhegu nga G7, kërkoi nga ministria që ta bëjë sponzorizimin e emisionit “Start-up” në një nga televizionet nacionale pasi që sipas saj, ky emision ka qenë shumë i rëndësishëm për shumë biznese pasi që shumica e grave janë promovuar nga ky emision.

Ministri Beqaj tha se nuk e di nëse ky sponzorizim mund të ndodhë pasi që i takon një institucioni privat, por nëse është e lejueshme me ligj, atëherë tha se do të ketë përkrahjen e tij.

Ndërsa, Yllka Metaj nga Aztech, tha se po mungon përkrahja për bizneset e grave, derisa kërkoi që ato të kenë më shumë përparësi në krahasim me të tjerët.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme