Beqaj: Përkrahja institucionale të shfrytëzohet për krijimin e vendeve të punës

Prishtinë | 26 Kor 2018 | 13:33 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ka vizituar Klubin e Prodhuesve të Kosovës, ku është takuar me kryetarin, Astrit Panxha dhe përfaqësues të anëtarëve të tij.

Në takim me drejtuesit e këtij klubi, Beqaj ka promovuar edhe programin për financimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NMV), raporton Ekonomia Online.

Ministri Beqaj tha se e vizitoi këtë klub për të bërë të qarta orientimet programore të ministrisë në fushën e legjislacionit, apo në atë të përkrahjes financiare.

Beqaj tha se inovacioni dhe ndërmarrësia janë fushat kryesore përmes së cilave krijohen vende pune.

“Do të vazhdoj vizitat edhe në institucione tjera për t’i informuar ato në mënyrë të detajizuar për progamin, synimet tona dhe tendencën për rikonceptualizimin e mendimit ekonomik në vend, ku inovacioni dhe ndërmarrësia zënë vendin kryesor për krijimin e vendeve të punës”.

Beqaj shtoi se klubi dhe njërëzit që ishin sot në takim janë punëdhënës, taksapagues të mëdhenjë të shtetit, të cilët, sipas tij, tentojnë të përmirësojnë bilancin tregtar të Kosovës me vendet e tjera.

Beqaj, tutje theksoi se përkrahja institucionale duhet të jetë në funksion të krijimit të vendeve stabile të punës dhe me synime që prodhimet vendore të konsumohen më shumë në Kosovë dhe jashtë saj, raporton EO.

“Diskutuam për përkrahjen instiucionale, ligjore, infrastrukturore, pse jo edhe financiare në raste të caktuara, duhet të shkojnë drejt asaj që të krijomë vende pune stabile, të rrisim potencialin tonë ekonomik në rajon por edhe në vend. Gjithmonë me synimet që produktet tona të jenë të aplikuara dhe konsumuara sa më shumë brenda vendit, por edhe të shkojnë drejt eksporteve tjera”.

Ministri Beqaj tha se diskutuan edhe për mundësinë e bashkëpunimit në fushën e trajnimeve me partnerët gjermanë, amerikane apo kushdo që ofron shërbime të tilla.

Drejtori i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, tha se në takim u njoftuan për projektet inovative të ministrisë të cilat zhvillohen nga organizata joqrveritare, por edhe rreth thirrjes për startupet dhe ndërmarrjet e vogla dhe te mesme që aplikojnë për projekte inovative.

“Ne kemi një pikëpamje të njëjtë që inovacioni nuk është vetëm në sektorin e teknologjisë informative por edhe në sektorin e prodhimit. U dakorduam në disa pika që në të ardhmen ta rrisim bashkëpunimin me organizatën tonë, por edhe me prodhuesit në mënyrë individuale”.

Të ngjashme