BERZh: Ekonomia e Kosovës mund të rritet për 4 për qind më 2021

Prishtinë | 01 Tet 2020 | 13:16 | Nga Ekonomia Online

Ekonomia e Kosovës pritet të tkurret rreth 5 për qind këtë vit si pasojë e pandemisë me koronavirus, mirëpo vitin e ardhshëm mund të kthehet në binarë me një rritje prej 4 për qind, thuhet në një raport të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Sipas BERZH-it arsye për këtë rënie është zvogëlimi i investimeve (9 për qind) sektori i ndërtimit (12 për qind) si dhe ndikimi i pandemisë pothuajse në çdo sektor.

Raporti thotë se vlerësimi për rritjen ekonomike mund edhe të duket më i zymtë nëse rastet me COVID-19 (sëmundjen që e shkakton koronavirusi) rriten dhe ekonomia mund të bllokohet përsëri.

Në gjysmën e parë të këtij viti, vizitat nga diaspora kosovare ranë për rreth 35 për qind. Mirëpo, sipas BERZH-it me gjithë vizitat e rralluara diaspora kosovare dërgoi 10 për qind më shumë para se sa në shtatëmujorin e parë të vitit 2019.

Diaspora kosovare është një nga kontribuuesit më të mëdhenj në ekonominë e vendit, me paratë që ata sjellin të familjet e tyre si dhe investimet që ata bëjnë kryesisht në sektorin e patundshmërive.

Rriten eksportet

Por, jo çdo gjë ishte zi në kohë të pandemisë për ekonominë kosovare.

“Eksporti në Kosovë u rrit 20 për qind, falë zgjerimit të eksporteve të metaleve bazë dhe produkteve kimike”, thuhet në raport.

Sipas raportit kosovarët kanë blerë produkte me çmime pak me të lira se sa më herët pasi kërkesa për blerje ka rënë si pasojë a masave për izolim gjatë muajve të pandemisë.

Ndikimi i pandemisë ka pasur efekt negativ në turizmin e Shqipërisë që përbën më shumë se 20 për qind të ekonomisë së përgjithshme.

Eksportet e Shqipërisë drejt Italisë, si vendi ku ka më së shumti eksport, ranë në masë të madhe.

Borxhi publik në këtë vend u rrit për 14 për qind në krahasim me fundin e vitit 2019 dhe borxhi total publik tash ka arritur në 80 për qind të Bruto Produktit Vendor.

Sipas BERZH-it, ekonomia e këtij vendi pritet të tkurret 9 për qind këtë vit, por vitin e ardhshëm mund të rritet në 4.5 për qind.

Maqedonia e Veriut

Edhe ekonomia e këtij vendi ra në fillim të këtij viti si pasojë e pandemisë që më shumti pati efekt në sektorin e industrisë, tregtisë, transportit dhe turizmit.

Si pasojë e rënies së të hyrave dhe rritjes së shpenzimeve borxhi publik pritet të rritet në vitin 2020.

Rënia ekonomike për vitin 2020 pritet të jetë 5 për qind, mirëpo do të kthehet në vitin e ardhshëm me 3 për qind.

Vendet tjera në rajon si Serbia, Mali i Zi dhe Bosnje dhe Hercegovina do të kenë pothuajse rënie të njëjte ekonomike, mirëpo gjendja mund të përmirësohet në vitin e ardhshmen nëse pandemia dhe masat për ndonjë bllokim të mundshëm nuk vazhdojnë.

Tremujori i parë i këtij viti ishte fitimprurës për ekonominë e Serbisë, mirëpo gjërat ndryshuan në tremujorin e dytë, kur masat për bllokim filluan të zbatohen dhe ekonomia filloi rënien.

Në Bosnjë dhe Hercegovinë rritja ekonomike ishte zvogëluar në vitin 2019 mirëpo vazhdoi edhe në vitin 2020. Si pasojë e pandemisë industritë si metalet bazë dhe industria e mobilierisë shënuan rënie për 30 për qind, në krahasim me shtatmujorin e një viti më herët. Në muajin korrik turizmi shënoi rënie për 80 për qind.

Në Mal të Zi, borxhi publik mund të arrijë në 90 për qind nëse qeveria vazhdon me planet për të zvogëluar pasojat nga pandemia. Një nga sektorët më të prekur në këtë vend është turizmi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme