Bie edhe blloku B1, KESCO po siguron rrymë nga importi

Prishtinë | 04 Kor 2016 | 10:48 | Nga

Njësia B1 e termocentralit Kosova B ka rënë nga sistemi mesnatës ndërmjet të dielës dhe të hënës dhe nuk është duke prodhuar energji elektrike, njofton Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike KEDS/KESCO.

“Kjo është ndalje e paplanifikuar dhe ndodhi vetëm një ditë pasi njësia B2 ishte ndalur gjithashtu në mënyrë të paplanifikuar”, thuhet në njoftimin për medie.

Aktualisht të dy njësitë e Kosovës B janë jashtë prodhimit. “Kjo në nënkupton se vetëm brenda dy ditësh është reduktuar prodhimi me mbi 70 për qind”.

KESCO thotë se ekipet e saj janë duke bërë të pamundurën që të sigurojnë energji shtesë nga importi, por kjo është shumë e vështirë, sidomos gjatë orëve të para për shkak të rregullave ndërkombëtare.

KESCO është e detyruar që të gjejë energji shtesë nga importi para ditëve të rëndësishme, siç ishte e detyruar edhe të shtunën dhe kishte reaguar menjëherë duke arritur në kohë të shkurtër t’i furnizojë qytetarët me energji pa ndërprerje pas rënies së paplanifikuar të njësisë B2.

KESCO thotë se është e përgatitur që të furnizojë konsumatorët si në terma afatshkurtër ashtu edhe më afatgjatë. Por, mungesa e përnjëhershme e 70 për qind të prodhimit e vë në vështirësi, pasi duhet siguruar sasi e madhe e energjisë për një kohë shumë të shkurtër që të mbulohet zbrazëtira ndërmjet prodhimit të pakët dhe konsumit që pritet të rritet edhe më tepër gjatë festës së Bajramit.

KESCO kërkon ndjesë nga konsumatorët, por arsyetohet se kjo ka ndodhur si rezultat i reduktimit të paplanifikuar të prodhimit që nuk është nën kompetencat e kësaj kompanie.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme