Bien raportimet për ngritje çmimesh, ATK-ja i dërgon tek Inspektorati i Tregut 36 biznese

Prishtinë | 17 Mar 2020 | 15:17 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Pas masave të ndërmarra nga Qeveria për parandalimin e përhapjes së Coronavirusit, pati edhe ngritje të çmimeve në sektorë të ndryshëm.

E shkak për këtë, Ministria e Financave dhe Transfereve, javën e kaluar ka obliguar Agjencinë Tatimore të Kosovës (ATK) për mbikëqyrjen e bizneseve, në rast se këto të fundit, kanë rritur çmimet.

Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, në një intervistë për Ekonomia Online ka treguar se deri të hënën kanë pranuar 3 119 denoncime nga qytetarët për rritje çmimesh por edhe denoncime të ndryshme tatimore dhe ka treguar se po ashtu se kanë dërguar 135 objekte për gjoba mandatare.

“Nga data 12 mars deri dje në të vërtet kemi pranuar 3119 thirrje apo denoncime të cilat kanë të bëjnë me parregullsi të ndryshme me çështje të ndryshme tatimore apo me ngritjen e çmimeve nga bizneset. Përveç këtyre denoncimeve kemi pranuar edhe çështje të tjera jo tatimore që kanë të bëjnë me mos respektim të mbylljeve të lokaleve që në numër janë 519″.

“Gjatë kësaj periudhe kemi pasur të realizuar 1040 aktivitete ose verifikime ku nga këto është konstatuar se kemi një numër të caktuar të shkeljeve edhe nga inspektorati në teren, ku si rezultat i kësaj janë shqiptuar dhe janë dërguar raste për gjoba mandatare për 135 objekte”.

“Te 36 biznese janë konstatuar shkelje dhe janë dërguar te inspektorati i tregut. Janë dërguar raste te inspektorati i tregut për trajtim të mëtutjeshëm në aspektin juridik si rezultat i konstatimit të shkeljeve nga bizneset dhe që ky numër është 36”, tha ai.

Murtezaj ka treguar se ka normalizim të çmimeve bazuar në atë se ka ulje të thirrjeve për raportim për ngritje çmimesh, ndërsa për produktet që më së shumti kanë denoncuar qytetarët kanë qenë mielli, kripa dhe vaji.

“Si rezultat i punës të madhe që janë duke bërë inspektorët në teren gjatë këtyre ditëve ka rezultuar që të kemi një rënie të theksuar të numrit dhe rasteve të denoncohen dhe nga dita e parë kemi pranuar 1100 raste të denoncimeve dhe dje si ditë e fundit që ishte kemi pranuar vetëm 296 thirrje që kjo tregon se ka përmirësim të gjendjes në teren dhe ka normalizim të çmimeve. Kryesisht kemi pas për produktet ushqimore, si miell, vaj, krip dhe sheqer, për produktet farmaceutike dhe ato bazike sic janë produktet higjienike, higjienike, alkooli, doreza, maska dhe pra është një numër shumë i vogël i produkteve që qytetarët vazhdojnë të denoncojnë për rritje të çmimeve”, tha ai.

“Me vendim të qeverisë së Republikës së Kosovës ku parashihen një mori masash që duhet të respektohen nga komiteti i bizneseve, qytetarë dhe institucioneve në kuadër të saj edhe ATK-ja është autorizuar me vendim të ministrit të Financave për monitorim të respektimit të masave të parapare.Në kuadër të saj ne si institucione jemi duke bërë monitorimin e procesit së ngritjeve të çmimeve, proces ky i cili nga dita e shpalljes emergjencës nga qeveria,e Kosovës ka filluar që të kemi raportime të ndryshme nga qytetarët e ndryshëm për denoncime lidhur me rritjen e çmimeve nga biznese të caktuar ose individ të caktuar”, shtoi ai.

Qeveria e Kosovës pas shpalljes së Gjendjes Emergjente Shëndetësore ka ndërmarrë një sërë masash për mbrojtjen e qytetarëve nga Coronavirusi, por që disa biznese e kanë shfrytëzuar gjendjen e krijuar për të ngritur çmimet e produkteve, e që i menjëhershëm ka qenë reagimi i organeve përgjegjëse për ndalim të kësaj situate.

Të ngjashme