Bislimi i VV-së flet për rënie të papunësisë, ekspertët thonë se kjo është e pakuptimtë

Prishtinë | 06 Maj 2020 | 15:47 | Nga Ekonomia Online

Ministri në detyrë i Financave, duke u thirrur në aplikimet për pako emergjente, thotë se vetëm në këtë periudhë janë punësuar rreth 10 mijë punëtorë të rinj. Me këtë ai e ka matur papunësinë në vend, duke thënë se ka rënë më së shumti që nga paslufta. Si ra papunësia gjatë pandemisë, kur e gjithë bota flet për katastrofë ekonomike? Përgjigjen njohësit e ekonomisë në vend.

Ministri Besnik Bislimi, që i ka rënë ta udhëheq dikasterin e Finanacave nga 3 shkurti, ka disa shifra të tjera rreth punësimeve, në të cilat thirrët për ta shpallur rënien më te madhe të papunësisë në 20 vjetët e fundit.

“Që nga viti 1999, shkalla e papunësisë në Kosovë kurrë nuk ka qenë më e ulët se 24.5%”, nxori si përfundim ministri.

Jusuf Azemi, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, në një bisedë për Gazetën Express thotë se papunësia në periudhën e pandemisë, kur është ndërprerë puna e shumicës së biznesëve, pritet të jetë më e thella në 20 vjetët e fundit.

“Ne kemi informatë shumë të saktë se ndoshta në 20 vjetëshin e fundit papunësia do të jetë më e madhja në këtë periudhë. Që nga të paslufta, numri më i madh i të larguarve nga puna pritët të jetë në këta muaj. Statistikat që thoni, rreth 9 mijë nuk mund t’i mohoj as pohoj, por nuk e di që ka pasur punësim të punëtorëve”, ka thënë Azemi.

Ministri Bislimi është thirrur në aplikimet që i kanë bërë biznesët për të përfituar nga Pakoja Emergjente e hartuar nga Ministria e Financave, për të ndihmuar, ndër të tjera, biznesët me paga të punëtorëve.

“Deri më tani në aplikimet e tyre për masën 3, 8 dhe 14 të pakos emergjente të Qeverisë së Republikë së Kosovës, ndërmarrjet e vendit kanë regjistruar gjithsej 9.946 punëtorë të rinjë, ndërsa kanë lajmëruar se kanë larguar nga puna 1268 punëmarrës. Sipas statistikave zyrtare në fund të vitit që lamë pas, 130.289 individë kanë qenë të regjistruar sit ë papunë, dhe shkalla zyrtare e papunësisë ka qene 25.9%”, ka shkruar Bislimi.

Kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, i ka thënë Gazetës Express se, ashtu si shumica e vendeve në botë, edhe Kosova po përballët me papunësi më të madhe se cdoherë tjetër, për shkak të pandemisë.

“Shumica e vendeve në botë po shënojnë papunësinë më të madhe ndonjëherë. Edhe në Evropë edhe në botë. Sigurisht edhe në Kosovë”, ka thënë Rukiqi.

Ai thotë se është e pakuptimtë të deklarohet se ka rënie të papunësisë në periudhën kaq të vështirë ekonomike dhe thotë se statistikat të cilave u referohet ministri, nuk e paraqesin realitetin.

“Në këto situata është non sens me deklaru, që kemi ulje të papunësisë. Ministri i është referuar aplikimeve për përfitime nga Pakoja Emergjente, ku janë regjistruar punonjës të ri. Këto nuk janë vende të reja të punës. Papunësia në vend ulët, kur kemi krijim të vendeve të punës. Ky nuk është krijim, ky është vetëm formalizim i vendeve të punës që kanë ekzistu deri tash. Në aspektin statisikor mund të duket e saktë, por në realitet kjo nuk ka kurrfarë kuptimi”, ka deklaruar Rukiqi

Ndërkaq, kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat thotë se matja e papunësisë më regjistrimet e biznesëve për të përfituar nga pakoja emergjentë, nuk është reale. Ai tregon se janë regjistruar punonjës të ri vetëm sa për të përfituar.

“Pjesa dërrmuese ka regjistruar punëtorë të rinj me qëllim të përfitimit të pakos, dhe jo se do të kenë nevojë për ta. Kemi edhe kompani të mëdha, se iu kanë deklaruar punëtorëve që s’do të mund të vazhdojnë punën fare”, ka thënë Azemi.

“S’kanë mund të punësohen në kohë jashtë pandemisë, e po punësohen tani. Kjoështë hipokrizi”, ka thënë tutje.

Ndonëse Azemi thotë se punonjësit e moçëm të kompanive të mëdha e kanë njoftuar se po rrezikojnë ta humbin punën, Ministri Bislimi, ka vazhduar matjet e papunësisë me puësimet në këtë periudhën e fundit, që sipas tij, janë më të ulëtat në 20 vjetët e fundit.

“Ndryshimi mes të regjistruarve të rinjë dhe atyre që kanë humbur vendin e punës bënë që numri i të papunëve brenda vetëm një muaji të ulet për 6.6% që përbën uljen më të madhe në 20 vitet e fundit. Kjo, nëse merret si ndryshimi i vetëm në këtë periudhë nënkupton që shkalla e papunësisë zyrtare (ende e nënvlerësuar) do të binte në nivelin e 24.1%”.

Rukiqi thotë se Kosova duhet ta ketë prioritet në këtë periudhë ruajtjen e vendeve të punës që i ka pasur deri tash.

“Ne duhet të tentojmë t’i ruajmë vendet e punës që i kemi deri tash. Të ketë një plan të rimëkëmbjes sepse në këtë kohë nuk është lajm formalizimi i vendeve të reja të punës, por ruajta e vendeve ekzistuese të punës”, ka thënë Rukiqi.

Ndryshe, vetë ministri në detyrë i Financave në një intervistë për Radio Evropën e Lirë ka thënë se Kosova ka pasur dëme ekonomike prej 6 milionë eurosh, vetëm brenda 50 ditëve kur është përballur me pandeminë. Sipas tij, kjo shifër mund të shkojë në 500 milioë euro.

“Dëmet ekonomike në tërësi ende nuk dihen pasi pandemia nuk ka përfunduar. Por, ajo që dihet deri më tani është se përafërsisht në baza ditore pandemia shtetit të Kosovës i ka kushtuar rreth 6 milionë euro. Nëse këto shumëzohen më 50 ditë deri tash që kemi pasur pandemi, i bie që në total kemi humbur në prodhim rreth 300 milionë euro. Të shtojmë këtu edhe ato që mund të humbën edhe gjatë muajit maj, derisa ekonomia plotësisht të kthehet në kapacitete të plota, i bie që në tërësi mund të humb 450 – 500 milionë euro. Në rast se pastaj ecim më ritën normal pjesën tjetër të vitit”, ka deklaruar ministri. 

Të ngjashme