Bizneset shpalosin kërkesat e tyre në Panairin e Tregtisë Inverse

Prishtinë | 28 Kor 2017 | 10:42 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Mishi jokualitativ dhe i importuar nga vende si Brazili ka bërë që Shpëtim Myftari, së bashku me familjen e tij, të mendojë për krijimin e një ferme e cila do të ofronte atë që i mungon tregut të Kosovës.

Ferma e tij, “Pula Mali” është një nga bizneset e shumta të hapura rishtazi që ka marrë pjesë në Panairin e Tregtisë Inverse të organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK).

Myftari nga ky panair pret që të njoftohet me bizneset e tjera më të mëdha si dhe të marrë oferta për mundësi bashkëpunimi, pasi që sipas tij, kjo fermë është e tëra me standarde evropiane dhe funksionon në bazë të robotikës.

“Ky Panair na ndihmon shumë për shkak se njoftohemi me bizneset e tjera dhe me marr oferta të ndryshme”, tha ai.

Eedhe Dile Prekpalaj nga qumështorja “Bio”, pret që ky panair t’iu ndihmojë në sigurimin e blerësve të rinj.

Panairi i Tregtisë Inverse organizohet për herë të dytë nga Oda Ekonomike e Kosovës.

Në këtë panair nuk u ekspozuan produkte, por kërkesat e bizneseve për produkte dhe shërbime të cilat i blejnë brenda apo jashtë vendit, raporton Ekonomia Online.

Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, ka thënë se Panairi i Tregtisë Inverse është një koncept i ri në Kosovë, i fokusuar në krijimin e lidhjeve biznesore në mes të ndërmarrjeve të mëdha, të mesme dhe të vogla me qëllim të promovimit të produkteve vendore, përmirësimit të mjedisit të biznesit dhe zvogëlimit të importit.

“Se bizneset dhe ekonomia nuk njohin kufij e dëshmojnë sot një prani bukur e madhe e bizneseve nga veriu i Mitrovicës nga vendet e tjera të Kosovës dhe e tëra kjo projektit i jep një ngjyrë dhe rëndësi të veçantë”, tha ai.

Sigrid Meijer, nga organizata “Swisscontact”, tha se ky panair do të ishte mirë të mbahet edhe në qytetet e tjera si në Pejë, Gjakovë, Mitrovicë etj.

“Ne mendojmë që ky koncept i cili është gjithashtu është praktikuar edhe në Amerikën Veriore ofron mundësinë që të njoftohen bizneset e vogla se çfarë kërkohet nga bizneset më të mëdha. Kështu ne në bashkëpunim me Odën Ekonomike vendosëm që të fokusohemi në hotelieri dhe restaurante dhe të shohim se si mund t’i afrojmë ato më shume me prodhuesit nga ndërmarrjet e vogla”, u shpreh Meijer.

Ndërsa ministrja në detyrë e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami tha se ky panair ka rezultuar të jetë i suksesshëm, duke shtuar se kërkesat e bizneseve duhet që të merren parasysh.

“Në këtë panair kemi biznese nga rajoni të cilat i ekspozojnë produktet e tyre dhe që e kemi të qartë se jemi një ekonomi e tregut, një ekonomi e hapur, ndërsa bizneseve tona duhet t’u ndihmojmë që ato të kenë qasje në tregjet e huaja dhe besoj se për tri vite radhazi këtë e kemi bërë”, u shpreh ajo.

Ajo më tej shtoi se bizneset edhe më tej duhet të jenë të organizuara, në mënyrë që zëri i tyre të dëgjohet nga institucionet.

“Ju jeni të vetmit që krijoni mirëqenie ekonomike dhe krijoni vende të reja të punës. Ju jeni ata që mbushni buxhetin e shtetit dhe kontribuoni në ndërtimin e shtetit dhe infrastrukturës në vendin tonë”, potencoi ministrja, duke sugjeruar se për këtë zëri juaj duhet të dëgjohet edhe nga pasardhësit tanë në qeveri, që të vazhdojnë me projektet që ne i kemi lënë në gjysmë”.

Pjesë e panairit ishin ndërmarrje të vogla e të mesme nga sektori i agrobiznesit, shërbimeve e prodhimit të interesuara në shitjen e produkteve dhe shërbimeve të tyre për t’u integruar si furnizues në zinxhirët e vlerave në tregun vendor. Në panair po marrin pjesë edhe shumë biznese nga komunat me shumicë serbe.

Ky aktivitet realizohet me përkrahje nga programi Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat (PPSE), që financohet nga Zyra Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë (SDC) dhe implementohet nga Swisscontact në partneritet me Institutin Riinvest dhe PEM Consult.

Të ngjashme