Diplomoi gjenerata e tretë e Akademisë së KEDS-it

Prishtinë | 14 Nën 2016 | 13:30 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Pas edukimit teorik dhe praktik 1 vjeçar tregut të punës iu shtuan edhe dhjetëra të rinj e të reja kosovare të cilëve u janë ofruar njohuritë më të avancuara për çështjet energjetike dhe të menaxhimit.

Dhjetëra studentë e nxënës kosovarë të hënën janë pajisur me certifikata të njohura ndërkombëtarisht. Kjo ndodhi pas diplomimit të tyre në KEDS Akademi III në një ceremoni të mbajtur të hënën.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ka përshëndetur një iniciativë të tillë, duke theksuar se Kosova po bën hapa të mëdhenj në sektorin e energjisë.

“Në kohën kur Kosova po bën hapa të mëdhenj në sektorin e energjisë, tani më shumë se kurrë na duhen kuadro të përgatitur në këtë sektor. KEDS Akademia po e bën këtë dhe unë i jam mirënjohës dhe e përgëzoj për këtë iniciativë”, tha ministri Stavileci.

Drejtori gjeneral i KEDS-it, George Karagutoff, ka theksuar se studentët e diplomuar po hyjnë në një fazë të re të jetës së tyre të përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Ata janë të vetëdijshëm për sfidat që i presin, sikurse e dinë që ky është vetëm fillimi i një rrugëtimi të gjatë. Duhet të jenë krenarë dhe të përgjegjshëm”, tha ai

“Mundësinë që u është dhënë ata duhet t’ia kthejnë shoqërisë. Nuk ka mënyrë më të mirë që t’i shpaguhesh shoqërisë se sa të jesh një qytetar i përgjegjshëm që reprezanton vlera të vërteta”, shtoi ai.

E nisur në vitin 2013, KEDS Akademia tashmë ka përmbushur misionin e sajë dhe po sheh tutje drejt avancimit të mëtutjeshëm.

Gjenerata e katërt po përgatitet të nisë së shpejti, përderisa arritjet e deritashme e bëjnë secilin të ndihet mirë. I lehtësuar dhe plot optimizëm për të ardhmen e rinisë kosovare është edhe ideatori i KEDS Akademisë, Mesut Serhat Dinc, njëherësh anëtar i Bordit Ekzekutiv të KEDS-it.

“Si një nga themeluesit e KEDS Akademisë jam krenar të shoh se si ajo që ishte një iniciativë e vullnetit të mirë sot po shndërrohen në një monument suksesi, përderisa si shembull po ndiqet gjithandej nëpër botë”, tha Dinc.

“Thënia e legjendarit Nelson Mandela ‘Edukimi është arma më e fortë që mund ta përdorësh për ta ndryshuar botën’ është rrugëtregues për akademinë. Ne hapëm dyert për të rinjtë e të rejat kosovare që të përgatiten me aftësi të nevojshme dhe mendime që e bëjnë ndryshimin”, nënvizoi Dinc.

KEDS Akademia që sot është programi më i avancuar në fushën e Përgjegjësisë Shoqërore sa i përket sektorit të edukimit, nuk do të ishte e mundur të realizohej pa mbështetjen e pakursyer të kompanive Limak dhe Calik.

“Kosova zë një vend të veçantë në zemrat tona dhe ne e vlerësojmë shumë mikpritjen që kemi hasur këtu. Ndërsa, rinia kosovare është pasuria më e vlefshme e këtij vendi të ri dhe kjo është arsyeja që KEDS Akademia ka marrë mbështetje të padiskutueshme prej nesh”, tha Nihat Ozdemir, kryetar i Bordit të Limak Holding.

“Dëshira jonë për të kontribuar në Kosovë nuk është vënë asnjëherë në pyetje, por për të kontribuar në talentet më të vlefshëm është privilegj dhe shpërblim që mbush zemrat tona. Suksesi që po tregojnë pjesëtaret e KEDS Akademisë është tregues që kjo ishte ide e qëlluar dhe rruga e duhur”, theksoi Ozdemir.

Përkrahja ishte e pa rezerve edhe nga kompania Calik.

“Përgjatë karrierës sonë profesionale, ne mësojmë shumë dhe përpiqemi ta ndryshojmë vetveten. Këtë nuk e bëjmë vetëm të jemi të suksesshëm, por për t’u lënë trashëgim edhe një botë më të mirë gjeneratave të ardhshme. Mënyra më e mirë për të kontribuuar për gjeneratat e reja është përmes mbështetjes së arsimimit të tyre. Për këtë në e vlerësojmë KEDS Akademinë dhe gjithmonë do të mbështesim arsimimin në këtë vend të bukur”, tha Ahmet Calik, kryetar i Bordit të KEDS-it dhe udhëheqës i Calik Holding.

Akademia e KEDS-it ka filluar në vitin 2013 me gjeneratën e parë që u bazua në ofrimin e njohurive teorike e praktike të rinjve kosovarë në aspektin teknik dhe industrial. Ideja ishte të përgatiten studentë liderë, të cilët do të ishin pjesë e rëndësishme e vendimmarrjes dhe kontributorë të fuqishëm në ekonominë e vendit. Të gjithëve iu krijua mundësia që të punonin në KEDS me kontrata të rregullta pune.

Lexo më shumë:

Të ngjashme