Këto janë kompanitë që po tentojnë të fusin derivate jashtë standardit në Kosovë

Prishtinë | 14 Qer 2019 | 11:37 | Nga Ekonomia Online

Nëntë kompani të derivateve të naftës nga Kosova kanë tentuar të fusin në treg qindra mijëra litra derivate jashtë çdo standardi.

Vetëm kompanisë Lab-oil nga Prishtina i janë ndaluar afro 85 mijë litra benzinë pasi nuk i ka plotësuar kushte e cilësisë së lejuar për shitej ne tregun e Kosovës.

Gazeta inFokus ka siguruar dokumentin që dëshmon se me datë 10 qershor, Departamenti Rajonal i Doganës në Prizren, pas analizave laboratorike, ka urdhëruar këtë kompani që ti kthej mbrapa në Shqipëri pesë ngarkesa me derivate, pasi nuk i plotësonin parametrat e cilësisë.

Përveç kësaj edhe kompanive Alfa Trade, Veda petrol, IP KOS, Iliria, Labi petrol, Petrol Oti, Alba Oil dhe Euro Miti u janë ndaluar ngarkesat të cilat sipas doganës për shkak të cilësisë së dobët janë kthyer mbrapsht

Këtë e kanë konfirmuar për Gazetën inFokus, zëdhënësi i doganës Adriatik Stavileci.

“Këto dërgesa janë kthyer pasi që nuk i kanë plotësuar kushte të UA 01/2017 për cilësi të derivateve të lëngëta të naftës. Për moment kemi konfirmim për 5 ngarkesa me derivatin benzinë që janë kthyer mbrapa ndërsa disa ngarkesa tjera janë proces të kthimit”, ka thënë ai për inFokus.

Vendimi i doganës ka ardhur pas mostrave të analizuara nga Laboratori i autorizuar për kontrollin e cilësisë në pikat doganore “Kosova Lab”.

Ndërkaq, të gjitha kompanitë dyshohet se janë furnizuar nga kompania Kastrati në Shqipëri dhe asnjëra nuk i ka plotësuar standardet e kërkuara sipas Udhëzimit Administrativ për Cilësinë e Karburanteve.

Në bazë të këtij udhëzimi treguesit e cilësisë së karburanteve të lëngëta të naftës për të cilët përcaktohen vlerat e lejuara janë numri i kërkuar i oktanit, numri motorik i oktanit, densiteti në 15 ˚C, shtypja e avullit, distilimi, stabiliteti oksidues, ndryshkja e shiritit të bakrit, numri i cetanit, pika e ndezjes, lubrifikushmëria (wsd 1,4) në 60°C, viskoziteti, pika e filtrabilitetit.

Gazeta inFokus është në pritje të përgjigjeve të kompanive të cilat dyshohet se po fusnin naftë jo cilësore në tregun vendës dhe do të raportoi për të gjitha zhvillimet që lidhen me këto raste.

Të ngjashme