Komisioni diskuton për zbatimin e Ligjit për Partneritet Publiko Privat

Prishtinë | 12 Pri 2017 | 15:10 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Buxhet dhe Financa ka shqyrtuar raportin me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Partneritet Publiko Privat. E për të bërë plotësim ndryshimin e këtij ligji Grupi Punues ka bërë vizita në pothuajse të gjitha komunat e vendit për të parë zbatueshmërinë e këtij ligji.

Ndërsa rekomandimet që kanë dalë nga ky raport janë: autoritetet kontraktuese të përforcojnë stafin teknik, Ministria e Financave të vazhdojë me ofrimin e ndihmës përkatëse, ligji të harmonizohet me disa ligje që kanë pësuar ndryshime e rekomandime të tjera, raporton Ekonomia Online.

Safete Hadërgjonaj, anëtare e këtij komisioni nga radhët e PDK-së, tha se me vizitën që kanë bërë në komunat e vendit kanë vërejtur që ky ligj po zbatohet nga ana e autoriteteve kontraktuese dhe se nuk ka shumë vërejtje, por se kanë disa rekomandime.

“Janë gjithsej gjashtë rekomandime. Rekomandimi ynë kryesor është që autoritetet kontraktuese t’i përforcojnë stafin teknik, të kenë personel të kualifikuar në mënyrë që të bëjnë menaxhimin projekteve dhe mbikëqyrjen e procesit të transaksioneve që kanë të bëjnë me partneritet publiko privat, përgatitjen e tenderëve, specifikimin e të tjera”.

“Po ashtu Ministria e Financave të vazhdojë me ofrimin e ndihmës përkatëse, por ajo që kemi vërejt është që ky ligj ka nevojë që të harmonizohet me disa ligje të tjera të cilat në ndërkohë kanë pësuar ndryshime si, Ligji për Prokurim Publik dhe ka nevojë që të harmonizohet edhe me direktivat e Bashkësisë Evropiane për çka është një nga rekomandimet tona që me rastin e plotësim ndryshimit të ligjit për partneritet publiko-privat të merren parasysh edhe të bëhen harmonizime të tilla”, ka thënë ajo.

Por, ajo që abstenoi gjatë votimit të këtij raporti e për të cilin tha se është përmbajtjesor ishte anëtarja Shqipe Pantina.

Sipas saj, disa nga rekomandimet që janë në raport do të duhej të ishin më ndryshe.

“Raporti është përmbajtjesor, kështu që jep edhe disa detaje por vërejtjet e mia kanë të bëjnë duke filluar me ligjin ose rekomandimet konkrete të cilat unë mendoj se disa prej tyre do të duhej të ishin ndoshta më ndryshe dhe natyrisht se ne jemi për investime dhe këtë duhet me theksuar, sepse ndryshe nuk mundemi me arrit zhvillim ekonomik por kur ndalemi me hartu ose kur i ndryshojmë ligjet është mriz që çdo herë të kemi parasysh interesin publik e sidomos karshi atij privat natyrisht pa e cenuar edhe interesin e subjekteve private, por institucionet çdo herë janë të thirrura për ta mbrojtur në rend të parë interesin publik”, ka thënë ajo.

Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Naser Osmani, tha se më e rëndësishmja për këtë ligj është çështja e mbikëqyrjes dhe zbatueshmërisë.

“Ajo që është më e rëndësishme është çështja e mbikëqyrjes, zbatueshmërisë në kuptimin e detajizimit të një kontrate me shtetit dhe partnerit privat, por edhe një institucioni, i cili në mënyrë rigoroze e përcjell zbatueshmërinë e asaj kontrate”, tha ai.

Komisioni po ashtu me vota unanime ka votuar edhe shqyrtimin e projektligjit për Mbrojtjen e Fëmijës dhe amandamenteve të Komisionit funksional për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore.

Lexo më shumë:

Të ngjashme