Lansohet projekti televiziv për promovimin e ndërmarrësisë

Prishtinë | 14 Qer 2017 | 12:04 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kolegji Universum, Innovation Center Kosovo (ICK) dhe “Trembelat”  kanë lansuar programin e ri televiziv për biznese të reja PunPun-Startups Battle , i cili ka për qëllim promovimin e ndërmarrësve në Kosovë.

Ky show televiziv fillon të transmetohet nga e mërkura e ardhshme, në Klan Kosova. Ky format është ideuar nga Kolegji Universum dhe realizohet në partneritet me Trembelat dhe Innovation Center Kosovo ndërsa mbështetet nga organizata gjermane GIZ dhe Banka Ekonomike.

Alejtin Berisha, drejtor ekzekutiv në Kolegjin Universum dhe ideator i Startups Battle foli për rëndësinë e këtij emisioni në inspirimin e të rinjve për ndërmarrësi dhe misionin e Kolegjit Universum për të përkrahur ndërmarrësinë në të gjitha format. “Në Kolegjin Universum ne besojmë fuqishëm në ndërmarrësi si promotore e zhvillimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të reja të punës në Kosovë. Për ne, ndërmarrësi është heroi i vërtetë i Kosovës” tha Berisha.

PunPun-Startups Battle, e cila bazohet në modelin e mirënjohur botëror “Get in the Ring” (GITR), do të jetë betejë dhe platformë për 32 biznese të reja dhe inovative të cilat garojnë në mes veti për çmimin e madh prej 10 000 euro. Ky show ka gjithsej 17 episode dhe për çdo episod garojnë nga 4 biznese të reja (startup), nga të cilat juria profesionale përzgjedh dy fitues për të vazhduar rrugën në çerekfinale, gjysëmfinale dhe finale. Që të katër finalistët fitojnë çmime të rëndësishme nga ICK dhe Kolegji Universum.

Yll Rugova nga “Trembelat”, ka thënë se në Kosovë ka papunësi të madhe dhe kjo papunësi ka bërë që edhe rinia të mos ketë njohuri për të aplikuar për punë.

Andaj këtë format e sheh si mundësi të mirë për të gjithë. “Jemi të bindur që kemi me pa biznese të reja që do të ndikojnë në përmirësimin e punësimit të rinjve dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve”, ka thënë ai.

Rugova tregoi, gjithashtu, si i kanë bashkuar forcat me Kolegjin Universum dhe ICK-në për të sjellë këtë format inovativ, i cili do të sjellë argëtim në shtëpitë tona, por edhe edukim dhe inspirim për ndërmarrësinë.

Shpend Lila, nga ICK-ja, foli për kontributin që ata japin në zhvillimin e ndërmarrësisë në Kosovë. “Në ICK ne çdo ditë punojmë për të mbështetur ndërmarrësit e rinj, ndërsa këtë herë kemi vendosur që këtë ta bëjmë edhe përmes një show televiziv, duke rritur kështu ndikimin tonë në Kosovë. Për më shumë ekipet fituese do të inkubohen në ICK, ku do të përfitojnë grante për fillimin e biznesit, si dhe konsulencë, mentorim dhe trajnime të vazhdueshme deri në dy vite”, theksoi Lila.

Ai foli edhe për përzgjedhjen dhe trajnimin që është duke u bërë me biznese gjatë kësaj jave nga Kolegji Universum dhe ICK në mënyrë që bizneset të cilat prezantojnë në këtë show të jenë sa më të përgatitura.

Ndërsa, Gent Fetahaj nga Organizata Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar GIZ tregoi arsyet se pse GIZ ka vendosur të mbështesë këtë emision, duke treguar edhe për objektivat e GIZ-it gjerman në mbështetje të punësimit, vetëpunësimit dhe inovacionit.

Finalja e PunPun Startups Battle të mbahet më 20 nëntor.

Të ngjashme