Naftëtarët kërkojnë përmbylljen e procesit të fiskalizimit

Prishtinë | 14 Shk 2017 | 12:25 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës ka mbajtur Kuvendin e parë të punës për vitin 2017, në të cilën u theksua që të përmbyllet procesi i fiskalizimit të pikave të shitjes së karburanteve.

Kryetari i kësaj shoqate, Fadil Berjani, duke kërkuar përmbylljen e këtij procesi, ka falënderuar ministrin e Financave, Avdullah Hoti për heqjen e akcizës.

Ai ka bërë me dije se Kosova e ka marrë çmimin për reformat në të bërit biznes, duke kërkuar më tej përmbylljen e procesit të fiskalizimit në mënyrë që asnjë pikë karburanti të mos ketë në Kosovë pa arka fiskale, raporton Ekonomia Online.

“E di që ka gatishmëri të plotë nga ju për këtë proces. Së bashku duhet ta caktojmë një datë të përbashkët ku do ta përfundojmë këtë proces”, ka thënë Berjani.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, u ka dhënë mbështetje naftëtarëve në ofrimin e kushteve më të mira në të bërit biznes, duke theksuar se kjo kategori është kontribuues i madh në buxhetin e shtetit.

“ Ministria Bajrami na njoftoj që qeveria ka bërë reforma të mëdha në kushtet e të bërit biznes. Kjo është si meritë e juaja dhe falënderoj në veçanti kryetarin e Odës Ekonomike. Ju falënderoj për punën që po bëni, sepse në realitet ju po bëni punën më të madhe dhe jeni kontribuues për buxhetin e shtetit. Unë ju siguroj që do të keni përkrahjen e Ministrisë së Financave dhe Administratës Tatimore të Kosovës. Të gjithë ne do të jemi në shërbimin tuaj për të ofruar kushte më të mira në të bërit biznes”, ka thënë Hoti.

Kurse Blerim Grainca, anëtar i Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik ka thënë se janë duke punuar bashkë me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë që në vend të ketë naftë me kualitet krahas standardeve të kërkuara.

“Ligji ka ardhur në qeveri dhe në Komision për Zhvillim Ekonomik, kryesisht cilësia dhe sasia reale që hynë në Doganat e Kosovës dhe me mbështetjen e laboratorëve. Jemi në rruge të mbarë me MTI-në deri ka fundi i majit do të përmbyllet ky proces në mënyrë që në treg të kemi naftë me standarde dhe do të kemi matje të kualitetit në kufij, në pikat e karboranteve dhe në depo. Deri në fund të majit kjo çështje do të mbyllet, keni durim”, ka thënë ai.

Kurse kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu ka thënë se naftëtarët me punën e tyre dhe bashkëpunimin me institucione e kanë kthyer besimin te qytetarët.

“ Edhe sot po dëshmohet që edhe Oda Ekonomike e Kosovës dhe Shoqata e Naftëtarëve nuk është kundër ligjit, por është për një ligj me partneritet dhe i bazuar në indikator ekzistues duke marrë shembull edhe vendet e ndryshme ku jetohet edhe në rrethana krejt tjera”, ka thënë Gërxhaliu.

Lexo më shumë:

Të ngjashme