OEK: Ka tentativa për ta politizuar Korporatën Energjetike

Obiliq | 16 Gus 2017 | 13:07 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) është e brengosur me përpjekjet për ta politizuar Korporatën Energjetike, për shkak të interesave të shumta që gërshetohen rreth prodhimit të energjisë elektrike.

“Kemi disa organizata joqeveritare të shoqërisë civile, kemi tregtarë të ndryshëm që ndoshta janë në mënyrë indirekte aktivë për të dëmtuar imazhin e korporatës. Por ajo është e Kosovës dhe ne si Odë Ekonomike do të mbrojmë imazhin e kësaj ndërmarrje publike të rëndësisë së veçantë dhe besoj që për çdo qeveri që do të vijë e ka për obligim moral që nëse do të bëjë për zhvillim ekonomik të mbështesë sektorin e energjetikës”, tha Safet Gërxhaliu, kryetar i OEK-ut.

Ai i bëri komentet pas një vizite në Drejtorinë e KEK-ut në Obiliq, ku u takua me drejtorin menaxhues, Arben Gjukaj, raporton Ekonomia Online.

“Jemi dëshmitarë të një realiteti të hidhur të krijuar kohëve të fundit qoftë me furnizim me energji elektrike qoftë me thëngjill. Ky ishte një takim pune, nga i cili personalisht mësova shumë. E para është se rëndësia e kësaj korporate nuk duhet të analizohet vetëm nga aspekti ekonomik, sepse sa ka rëndësi ekonomike, ka edhe rëndësi sociale integruese dhe mbi të gjitha ka rëndësi ambientaliste”, theksoi Gërxhaliu.

“Në krahasim me vitet e pasluftës, vitet e fundit janë rekorde në këtë kompani sa i përket prodhimit dhe shitjes dhe me vetë faktin që janë rreth 5000 të punësuar e dëshmon që është edhe garanci e një stabiliteti në këtë regjion e dëshmon rëndësinë që ka KEK-u”.

Kreu i Odës theksoi se nuk duhet të lejohet që KEK u të jetë emëruesi i përbashkët i të gjitha problemeve qoftë në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, qoftë në Zyrën e Rregullatorit. Ai rikujtoi se KEK-u nuk është përgjegjës i furnizimit, por i prodhimit.

Gjukaj: Kemi arritur marrëveshje me 23 familje për shpronësim

Drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës, Arben Gjukaj, ka folur rreth marrëveshjeve me banorët në Shipitullë për shpronësim, që i mundëson korporatës që të vazhdojë nxjerrjen e thëngjillit.

Gjukaj, i cili kishte alarmuar para pak kohësh se Kosova mund të përballet me krizë energjetike në mungesë të rezervave të thëngjillit, tha se tashmë kanë arritur marrëveshje me 23 familje.

“Ne e njoftuam kryetarin e Odës Ekonomike së bashku me bashkëpunëtorët për sfidat që po kalon Korporata Energjetike e Kosovës dhe fokus të veçan e patëm shpronësimi. Ne jemi në pritje të veprimeve qeveritare ose hapave të tjerr që kjo situatë të kap zgjidhje. Shpresojmë që me përkrahjen e Odës Ekonomike siç na u premtua se me mekanizmat e vet do të mundohet që ta sensibilizoj që ti shtyj edhe organet e tjera që janë jashtë kontrollit të KEK-ut që të marrin veprime në kohën e duhur për arsye se mendojmë që është koha e fundit që ti japim zgjidhje këtij problemi”.

“Ne kemi arritur që fatmirësisht deri sot 23 marrëveshje, edhe pesë marrëveshja janë në pritje për tu pranuar në mënyrë miqësore nga banorët e afektuar. Kjo është një dëshmi që janë aplikuar standardet më të mirë. Shfrytëzoj rastin që të iu bëjë thirrje banorëve që të vijnë ti nënshkruajnë marrëveshjet edhe ata që nuk i kanë nënshkruar deri sot për arsye se pako kompensimit përmes kornizave i ka trajtuar të gjitha nevojat e tyre jo vetëm për komentim por edhe çështjeve tjera socio-ekonomike dhe kjo do të na mundësonte që ne sa më parë të veprojmë ose të startojmë në mënyrë të plotë të heqjes së djerrinës”.

“Ju e dini që ne jemi në pritje të hyrjes në fuqi të vendimit preliminar i cili është marr me datën 11 Gusht nga qeveria e Kosovës dhe kjo në njëfarë mënyra na mundëson që ne diku nga data 12 shtator të aktivizojmë të gjithë mekanizmin e heqjes së djerrinës”.

Kryetari i OEK-ut, Gërxhaliu, ka thënë se e gëzon fakti që KEK-u, pas situatës së fundit të krijuar me mihjen, ka qenë pjesë aktive e zgjidhjes së problemit të shpronësimit.

Lexo më shumë:

Të ngjashme