Tempulli: Kosova pikë e rëndësishme e trafikut ajror ndërkombëtar

Prishtinë | 23 Sht 2016 | 12:11 | Nga Albulena Misini Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

AlKosova është një pikë e rëndësishme referimi në hartën e trafikut ajror ndërkombëtar, e cila përditë e më tepër është duke ofruar mundësi komode për qarkullimin e udhëtarëve dhe mallrave. Trafiku por edhe transporti ajror në Kosovë janë duke lëvizur përpara në industrinë e aviacionit në regjion dhe më gjerë.

Kështu u tha në tryezën  me temën “Kosova si qendër e rëndësishme e udhëtarëve në regjionin e Evropës Juglindore dhe kërkesat për shërbime shtesë në Trafikun ajror”, të organizuar nga Kolegji i shkencave të aplikuara teknike “Tempulli” në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Autoritetin e Aviacionit  Civil të Kosovës.

Muhamed Krasniqi drejtor  i Kolegjit “Tempulli”, tha se kjo tryezë ka për qëllim që të veprojë si një platformë diskutimi në mes të zyrtarëve qeveritar, autoritetit përkatës dhe ofruesve të shërbimeve të aeroporteve, duke u përpjekur për t’u njohur me angazhimet e secilit institucion në funksion të zhvillimit të sistemit të trafikut ajror në vend.

“Tashmë Kosova është një pikë e rëndësishme referimi në hartën e trafikut ajror ndërkombëtar, e cila përditë e më tepër është duke ofruar mundësi komode për qarkullimin e udhëtarëve”.

“Pavarësisht faktit që kemi studime specifike trevjeçare në trafikun dhe transportin ajror, institucionet dhe kompanitë vazhdojnë me punësime tradicionale te të rinjve, pa përgatitje adekuate nga fushat tjera jo teknike për të punuar në operime të ndryshme në aeroporte”, ka thënë Krasniqi.

Kolegji “Tempulli” në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Autoritetin e Aviacionit  Civil të Kosovës organizuan tryezën “Kosova si qendër e rëndësishme e udhëtarëve në regjionin e Evropës Juglindore dhe kërkesat për shërbime shtesë në Trafikun ajror”.

Xhelil Bekteshi nga Ministria e Infrastrukturës, ka thënë se si ministri mundohen që në rajon të jenë lider në fushën e aviacionit civil.

“Ministria angazhohet që sektori i aviacionit civil të zhvillohet në baza konkurrente, në mënyrë që pasagjerët të udhëtojnë me çmime sa më të favorshme dhe me kushte dhe komoditet në bazë të direktivave që parashihen në Bashkimin Evropian”, tha ai.

Dritan Gjonbalaj, drejtor në Autoritetin e Aviacionit Civil të Kosovës, tha se një shtet të ketë zhvillim të papenguar të aviacionit civil duhet të ketë subjektivitet ndërkombëtar të pakontestueshëm.

“Republika e Kosovës ende nuk është anëtare e organizatës ndërkombëtare të aviacionit civil, por dua t’u informoj se janë bërë disa studime, janë bërë kontakte të para me disa partnerët ndërkombëtar dhe shpresojmë se anëtarësimi në ICAO të jetë në listën e prioriteteve kryesore të Qeverisë së Kosovës”, ka thënë Gjonbalaj.

Sipas tij, i vetmi Forum që Republika e Kosovës ka qasje në fushën  e aviacionit civil është marrëveshja për hapësirën e përbashkët evropiane të aviacionit, dhe se kjo marrëveshje është e nënshkruar nga Administrata e atëhershme e UNMIK-ut.

Në këtë tryezë u trajtuan pika të ndryshme që kanë të bëjnë për trafikun, ajo për Legjislacionin, sigurinë e aviacionit, strategjinë kombëtare për zhvillim të aviacionit, sistemin e transportit ajror, etj.

Lexo më shumë:

Të ngjashme