Zeka: Të rinjtë nuk po shohin perspektivë në Kosovë, duhet të tregohemi më inovativë

Prishtinë | 21 Nën 2019 | 18:18 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në kuadër të “Javës Globale të Ndërmarrësisë”, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Qendra Inovative e Kosovës (ICK) kanë organizuar ngjarjen “A jeni kampion i suksesit”, raporton Ekonomia Online.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka, inkurajoi të rinjtë që të merren me ndërmarrësi dhe të kenë objektiva të caktuar për të pasur sukses.

Zeka tha se kjo është një periudhë kur të rinjtë nuk shohin shumë perspektivë më Kosovë dhe se thelbi i “Javës së Ndërmarrësisë” është ndarja e tregimeve të suksesit në Kosovë.

Zeka theksoi se secili i ri duhet të synojë të merret me ndërmarrësi dhe të japë kontributin e vet.

“Shpresoj që do të tregojmë inovacion modest të shtetit tonë. Suksesi është relativ, lidhet me synimet, objektivat që ia caktojmë vetës. Kur t’i përmbushim mund të themi se ia arritëm. Secili prej jush duhet të keni objektiva. Ekziston një zhgënjim të të rinjtë pasi qëllimet e tyre i shohin jashtë vendit”, u shpreh Zeka.

Përfaqësuesi i projekti “Are you a champion”, Ardian Hoxha, ka rrëfyer përvojën e vet drejt suksesit.

Hoxha para të rinjve ka shpjeguar hapat e parë për t’u bërë lider në një fushë të caktuar.

“Kam arritur të deshifroj se çka është suksesi. Në çdo profesion për t’u bërë kampion është i njëjtë. Ajo që dallon është industria. Por për të arritur sukses, rrugëtimi është i njëjtë. Ne nuk lindim të ditur, por mundemi të mësojmë. Duke mësuar gjërat ne dimë t’i realizojmë”.

Hoxha inkurajoi të rinjtë që të mos frikësohen për të filluar një punë ose biznes.

“Shumë prej neve na duket e paarritshme dhe e lëmë punën e sotme për nesër. Kjo është ‘vjedhje’ e kohës”, ka thënë ai.

“Java e Ndërmarrësisë Globale” në Kosovë do të jetë e hapur deri të dielën – 24 nëntor.

Gjatë kësaj kohe do të organizohen trajnime, takime me sipërmarrës, prezantim i ideve të ndryshme të biznesit, tryeza të rrumbullakëta dhe konkurse.

Lexo më shumë:

Të ngjashme