Bizneset ankohen se ende s’janë paguar për rimëkëmbjen ekonomike nga Pakoja Emergjente

Prishtinë | 24 Gus 2020 | 19:39 | Nga Ekonomia Online

Kosova është e fundit në rajon për ndihmë ndaj bizneseve dhe ekonomisë për rikuperim të humbjeve që i kanë pësuar gjatë pandemisë COVID-19.

Derisa vendet e rajonit kanë filluar me zbatimin e pakos së tretë, Kosova ende nuk ka zbatuar në tërësi Pakon e parë emergjente në vlerë prej afro 180 milionë eurosh. Ndërkohë, pakoja e dytë, ajo për rimëkëmbje, nuk është aprovuar ende nga Kuvendi, raporton KOHA.

Nëse mjetet e parapara për rimëkëmbje në vlerë prej 365 milionë eurove nuk shpërndahen tek bizneset dhe qytetarët gjatë muajit shtator, sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ato do ta humbin efektin e tyre në ekonomi.

“Është koha për të shpërndarë paratë. Shpërndarja e shpejtë e parasë e krijon një efekt i cili ne na mundëson që të rimëkëmbëmi më shpejt. Nëse ndodhin këto ngadalësime, atëherë një pjesë e madhe e kompanive në shumë sektorë do ta ketë të pamundshme mbijetesën”, ka thënë ai.

Sipas tij, duhet lënë anash luftën politike për interes nacional. Ka kritikuar institucionet edhe për vonesat që janë krijuar në zbatimin e Pakos emergjente fiskale.

“Dy probleme kryesore, 1 ka ndikuar në rënie të fuqisë blerëse dhe në performancën e bizneseve dhe në rënie të produktivitetit të kompanive. Shumë kompani janë ballafaquar me obligime të tjera në pamundësi për të paguar punëtorët, kanë pasur edhe rënie të produktivitetit. Punëtorët kanë qenë të pamotivuar dhe janë përcjellë me probleme të tjera që nga koha kufizuese, ku janë krijuar obligimet. Kur kompanitë janë ballafaquar me shumë pasiguri për të ardhmen shteti nuk ka qenë kompetent në kohën e duhur. Vetëm emërtimi zyrtar i ka mbetur Pako emergjente, por nuk e ka përmbushur asnjë nevojë emergjente të sektorit privat”, ka thënë Rukiqi.

Disa punonjës dhe biznese nuk i kanë marrë ende pagesat e premtuara nga Pakoja emergjente fiskale.

Sipas Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, kjo ka ndodhur shkaku i disa gabimeve teknike në aplikim dhe se pagesat do të bëhen pas filtrimit të llogarive nga sistemi i pagesave.

Edhe zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, ka thënë për KOHËN se në momentin që do t’i marrin listat përfundimtare do të bëhen edhe pagesat e fundit që nuk janë ekzekutuar ende.

Bazuar në të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar, sa u përket vendeve të rajonit Serbia ka përgatitur një paketë masash ekonomike për të luftuar krizën e shkaktuar nga virusi në vlerë prej 3 miliardë eurosh.

Edhe Mali i Zi ka njoftuar se ka miratuar një paketë prej 1.2 miliardë eurosh për mbështetje të qytetarëve pas dy pakove paraprake në vlerë prej 320 milionë eurove.

Edhe Shqipëria ka miratuar dy pako mbështetëse në vlerë prej 400 milionë eurosh. Ndërsa Maqedonia e Veriut ka aprovuar pakon prej 550 milionë eurosh për zbutjen e pasojave, për kompanitë dhe shtresat e rrezikuara të qytetarëve.

Të ngjashme