Bizneset kanë probleme në financimin e transaksioneve

Prishtinë | 02 Gus 2016 | 12:11 | Nga Resmije Ballazhi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri ka shqyrtuar Projektligjin për Kamatëvonesat në Transaksionet Tregtare. Andaj u theksua se Projektligji për Kamatëvonesat në Transaksionet Tregtare ka rëndësi të madhe për bizneset, i cili zgjidh problemet që u paraqiten bizneseve gjatë afarizmit.

Anëtarët e Komisionit potencuan vështirësitë e bizneseve në financimin e transaksioneve biznesore, problemin e likuiditetit, vonesat në borxhe, etj, andaj sipas tyre, Ligji duhet të qartësohet sa i përket harmonizimit me direktivat e Bashkimit Evropian.

Zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, Avni Kastrati, tha se synimi i qeverisë është procedimi i përshpejtuar i pakos legjislative dhe reformës administrative në funksion të përmirësimit të ambientit biznesore.

“Objektivi i këtij projektligji është krijimi bazës ligjore të mirëfilltë, përcaktimi i rregullave për afatet dhe mënyrat e llogaritjes së kamatëvonesës në raste të furnizimit me mallra dhe furnizime nga ana e shoqërive tregtare kundrejt shoqërive të tjera tregtare dhe autoritet publike në mënyrë që të sigurohet funksionimi i duhur i tregut duke nxitur aftësitë konkurruese të shoqërisë tregtare dhe në veçanti të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme”, tha ai.

Më tej, ai theksoi se me ligj përcaktohet edhe obligimi i institucioneve financiare që t’i informojë hollësisht debitorët për pasojat dhe kushtet e vonesës në kthim të obligimeve.

“Ligji synon të arrijë një ndryshim thelbësor për një kulturë të pagesës me kohë dhe të shpejtë dhe kërkon debitorëve të paguajnë kamatëvonesën dhe shpenzimet e arsyeshme të dëmshpërblimit të debitorit në coftë se ata nuk paguajnë për mallra dhe shërbimet me kohë”, deklaroi ai.

Kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, Muhamet Mustafa, tha se ky ligj ka një rëndësi të madhe, sepse është komplementar me një pako të ligjeve që shkojnë në Kuvend, të cilat duhet të përmirësojnë kushtet e zhvillimit të bizneseve.

“Një nga vështirësitë për bizneset paraqitet problemi i financimit të transaksioneve biznesore, problemi i likuiditetit, vonesat në borxhe, borxhet e grumbulluara edhe në ndërmarrje publike edhe në relacionet midis bizneseve dhe mendoj që ky ligj ka një rëndësi shumë të madhe. Shumë mirë që ka ardhur në Kuvend dhe duhet të propozojmë që ky ligj të shkojë në lexim të parë para pushimeve verore në mënyrë që të kemi një kohë që ta përmirësojmë dhe prej shtatorit të hyjë në fuqi”, theksoi Mustafa.

Njëjtë edhe anëtarja e komisionit Sala Berisha-Shala, e vlerësoi si të rëndësishëm këtë ligj, mirëpo tha se ligjin nuk mund ta përpunojnë në procedurë të shpejtë.

“… me rregullore të Kuvendit ligjet nuk mund të hyjnë në fuqi, pasi që afatet procedurale që duhet të kalojnë përmes komisioneve tjera janë së paku dy muaj, dhe ky ligj është e pamundur të hyjë në fuqi në shtator”, tha ajo.

Anëtari i Komisionit, Besim Beqaj, tha se ligji është shumë i rëndësishëm dhe ky ligj duhet të qartësohet sa i përket harmonizimit me direktivat e Bashkimit Evropian.

“Gjërat që duhen adresuar janë relacioni i këtij ligji me kontratat në mes palëve kontraktuale dhe mendoj se është çështje ma thelbësore, sepse duhet të kemi parasysh që nuk duhet t’i vemi në lajthitje kompanitë të cilat kanë marrëdhënie tregtare në momente të caktuara që në rast të mospajtimeve ky ligj në mënyrë atematike të hyjë në fuqi, sepse paraprakisht duhet të kemi zgjidhje në rast se ka vonesa dhe po ashtu nuk ka ndonjë specifikë të qartë të theksuar dhe kjo është problematike për biznesin”, deklaroi Beqaj.

Po ashtu, në këtë mbledhje u shqyrtua edhe raporti me Rekomandime për Projektligjin për Rregullat e Komunikacionit Rrugor, si dhe pika të tjera të rendit të ditës.

Të ngjashme