Odat ekonomike diskutojnë për sfidat e sektorit privat

Prishtinë | 26 Kor 2016 | 14:42 | Nga Resmije Ballazhi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me qëllim të diskutimit mbi sfidat e identifikuara si vendimtare për të tërhequr investimet e huaja direkte, përpjekjet e mëtutjeshme të nevojshme për përmirësimin e ambientit të të bërit biznes dhe çështjet e tjera të investitorëve dhe prodhuesve vendor, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka dhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu mbajtën një konferencë për shtyp.

Drejtori i Odës Amerikane, Arian Zeka theksoi çështjet mbi ambientin e të bërit biznes që ai konsideron se janë vendimtare për shkallën në të cilën investimet do t’i kontribuonin një ekonomie më aktive dhe më dinamike në Kosovë.

Ai nënvizoi se zgjerimi i listës së produkteve të liruara nga detyrimet doganore, aprovimi i pushimeve tatimore për investimet e reja dhe miratimi i Ligjit për Investime Strategjike do ta vënin Kosovën në një pozitë më të favorshme, në raport me shtetet e rajonit.

Zeka argumentoi se ky ligj është bërë pengesë për një kompani Amerikane, e cila ka hezituar të fillojë biznesin e saj në Kosovë, derisa Ligji për Investime Strategjike të implementohet tërësisht.

Kërkesat për të zgjeruar listën e produkteve me lëndët e papërpunuara, të përdorura në proceset e prodhimit, të liruara nga detyrimet doganore, Zeka i konsideroi si vendimtare në rritjen e konkurrueshmërisë brenda kompanive prodhuese në Kosovë.

Po ashtu, ai theksoi se duke aprovuar pushimet tatimore për investimet e huaja, të rregulluara me Ligjin për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave, kompanitë do të mund të operonin në mënyrë më efektive.

Sa i përket investimeve direkte të huaja, ai argumentoi se Kosova nuk është shumë gjeneroze në kuptim të ofrimit të lehtësirave të të bërit biznes për investitorët e huaj, duke e konsideruar si arsyen thelbësore se pse shtetet rajonale kanë fluks më të madh të investimeve të huaja direkte, në krahasim me Kosovën.

Përveç rekomandimeve që nxisin rritjen ekonomike në Kosovë, Zeka u bëri thirrje institucioneve që të rrisin angazhimin e tyre për të aprovuar ligjet e nevojshme dhe të përmirësojë kështu ambientin e të bërit biznes në Kosovë.

Kryetari i Odes Amerikane, Arian Zeka u ka bërë thirrje institucioneve qeveritare të ndjekin rekomandimet e bizneseve private.

“Kemi disa kërkesa si zgjerimi i listës së produkteve të liruara nga detyrimi doganor, lëndët e para që përdoren në proceset e përpunimit dhe të prodhimit të kompanive tona të lirohen nga detyrimet doganore, futja në fuqi e pushimeve tatimore”, theksoi ai.

Ai e quan për keqardhje mos aprovimin e ligjit për investimet strategjike.

“Qeveria nuk arrin të kalojë aprovimin e ligjit për investime strategjike pavarësisht se kjo ka qenë një pikë një premtim dhe një zotim. Tash është çështja se çfarë duhet të bëhet tjetër ne kërkojmë nga të gjitha partitë politike, forcat politike që t’i tejkalojnë divergjencat e tyre që çfarë do qofshin ato dhe kurdo do që bëhet fjalë për pjesë të legjislacionit të cilat prekin zhvillim ekonomik të vendit mos të bëhen lojëra të tilla”, deklaroi ai.

Safet Gërxhaliu kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës tha se ka qenë i pakuptimtë mos votimi i Ligjit për Investime Strategjike që ka qenë një kërkesë e kahershme e komunitetit të biznesit.

“Ka qenë një ligj që do të ndryshonte shumë gjëra, por për fat të keq përkundër mbështetjes së faktorit ndërkombëtar nuk kaloi. Një gjë tjetër që kërkojmë është depolitizimi i bordeve të agjencive të ndërmarrjeve publike. Nuk dua që problemet ekonomike të mbesin nën hijen e agjendës politike, sepse këtë nuk e meriton popullata e Kosovës në përgjithësi”, tha Gërxhaliu.

Ai theksoi nevojën që institucionet publike të marrin vendime prej të cilave do të përfitonin kompanitë vendore dhe të huaja, duke e konsideruar kështu si një pengesë për komunitetin e biznesit dhe stabilitetin ekonomik.

Gërxhaliu u bëri thirrje institucioneve që të mbështesin prodhuesit vendor, duke ridraftuar Ligjin për Tregtinë e brendshme, me qëllim që kompanitë vendore të kenë mundësi të rrisin prodhimin e tyre, si një ndër parakushtet për krijimin e vendeve të punës.

Sipas Gërxhalit duhet të mendohet për ridraftimin e Ligjit për Tregti të Brendshme, por më shqetësuese, sipas tij, është fakti se duke përdorur çështja e demarkacionit, asociacionit, liberalizimit po anashkalohet rëndësia e proceseve ekonomik.

Çështje të tjera që u diskutuan gjatë konferencës ishin rreth implikimit që politikat e sugjeruara kanë për qytetarët si konsumatorë, Ligji për Faljen e Borxheve në përgjithësi, implikimet afatgjatë dhe afatshkurta që kanë pushimet tatimore, cilësia e produkteve vendore, normat e interesit dhe çështje të tjera financiare që shqetësojnë komunitetin e biznesit.

 

Lexo më shumë:

Të ngjashme