Bizneset mirëpresin grumbullimin e TVSH-së në brendi, ATK-ja thotë se kjo rrit mundësitë për informalitet

Prishtinë | 30 Kor 2018 | 08:12 | Nga

Iniciativën e Qeverisë për ndryshimin e Ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) e kanë mirëpritur përfaqësuesit e bizneseve.

Projektligji i ri, i sjellë nga Ministria e Financave, parasheh që mbledhja e TVSH-së për produktet e importuara të bëhet në brendi të vendit, nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK). Deri më tani, këtë kompetencë e ka pasur Dogana, shkruan sot Koha Ditore.

Sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, mbledhja e TVSH-së në kufi për t’u rimbursuar më vonë ka qenë një ndër barrierat kryesore për shumë ndërmarrje, të cilat në mungesë të rrjedhës së parasë, shpeshherë për të mundësuar funksionimin e vet, janë detyruar të marrin hua.

E drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Sakip Imeri, ka theksuar se transferimi i grumbullimit të TVSH-së nuk do të jetë proces edhe aq i lehtë. Sipas tij, kjo reformë paraqet sfidë për ATK-në, pasi që shtohet mundësia e shmangies nga tatimi.

Ndërkaq në Ministrinë e Financave kanë thënë se reforma në mbledhjen e TVSH-së është bërë si rezultat i kërkesave të bizneseve për vite të tëra, në mënyrë që TVSH-ja të mos paguhet me rastin e importit, por që kjo të bëhet në brendi. Kjo, sipas kësaj ministrie, do t’i ndihmojë bizneset, duke rritur likuiditetin, si dhe do t’u mundësojë zgjerim të tyre, duke i kursyer nga kreditë dhe interesat e ndryshme që janë marrë për ta paguar në avancë TVSH-në.

Krahas kësaj, projektligji i ri është harmonizuar edhe me direktivën e BE-së për TVSH-në.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme