Bizneset paralajmërojnë protesta nëse s’miratohet Ligji për rimëkëmbje ekonomike

Prishtinë | 06 Nën 2020 | 17:49 | Nga Ekonomia Online

Protestat janë rruga e vetme që u ka mbetur bizneseve për të kërkuar miratimin e Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, ka thënë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi. Kjo deklaratë vjen në ditën kur në Kuvend nuk pati kuorum për të mbajtur seancën për shqyrtimin e dytë të Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike dhe kur Qeveria mori vendime për ndalimin e veprimtarive të bizneseve për fundjavë në gjithë vendin.

“Ka presion të jashtëzakonshëm nga bizneset për organizim të protestave dhe formave tjera të kundërshtimeve për stërzgjatjen e miratimit të ligjit për rimëkëmbjen ekonomike dhe vendimet e fundit që lidhen me menaxhimin e pandemisë”, ka shkruar Rukiqi në Facebook duke thënë shtuar se “barrën sociale të pandemisë po e paguajnë bizneset”.

“Gjendja e bizneseve çdo ditë e më shumë po përkeqësohet. Nëse s’ka miratim të ligjit për rimëkëmbjen ekonomike dhe nëse vazhdohen të merren masa për menaxhimin e situatës me pandeminë, pa asnjë konsultë me bizneset, protestat mbesin rruga e vetme për të kërkuar seriozitet institucional në sigurimin e mbijetesës së bizneseve”, ka përfunduar ai.

Të premten në vend u regjistruan 728 raste të reja pozitive, duke e bërë ditën më të rëndë deri tash me raste të reja. Sot Qeveria mori vendim që të mbyllë bizneset në gjithë vendin deri të hënën, ndërsa shtatë komuna u futën në karantinë.

Të ngjashme