Bizneset po humbin miliona euro të qarkullimit vjetor nga kostoja e firos

Prishtinë | 23 Jan 2020 | 13:44 | Nga Ekonomia Online

Humbjet e biznesit nga mbetjet ushqimore arrijnë vlerën totale deri në 2 për qind deri 4 për qind të qarkullimit vjetor të bizneseve dhe se kjo humbje është shumë e konsiderueshme në afat të gjatë, kështu thotë Rrjeti i Shitësve me Pakicë.

Sipas njoftimi të kësaj organizate, bizneset po hasin vështirësi të vazhdueshme lidhur me trajtimin e kësaj çështje.

“Në dritën e rezultateve të vitit 2019 të Administratës Tatimore të Kosovës, Rrjeti i Shitësve me Pakicë shpreh pakënaqësi rreth vështirësive të vazhdueshme me të cilat përballen bizneset që merren me tregtinë me pakicë, vështirësi këto që janë të lidhura ngushtë me veprimtarinë e Administratës Tatimore dhe Ministrisë së Financave. Më saktësisht, kjo pakënaqësi ka të bëjë me mostrajtimin e çështjes së kallos apo firos [humbja që pëson në peshë]. Çështja e firos lidhet ngushtë me Ligjin mbi Vlerën e Shtuar apo me Rregulloren mbi Zbatimin e Ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar meqë trajtimi i firos kërkon përcaktim të deficitit të zakonshëm apo vlerën më të lartë të lejuar të shlyerjes së mallit, nga i cili nuk llogaritet dhe nuk paguhet tatimi mbi vlerën e shtuar. Praktika të tilla janë të aplikueshme dhe janë në harmonizim edhe me legjislacionin dhe standardet evropiane”, thotë Rrjeti i Shitësve me Pakicë.

Rrjeti thotë se kjo çështje kërkon adresim të menjëhershëm nga institucionet e vendit.

“Ka më shumë se një vit që Rrjeti i Shitësve me Pakicë ka ngritur për diskutim çështjen e kallos apo firos. Kjo çështje kërkon adresim të menjëhershëm nga institucionet e vendit, por deri tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim. Sipas legjislacionit në fuqi, shkatërrimi i mallrave si rezultat i skadimit, thyerjes, vjetrimit apo dëmtimit sanksionohet në bazë të Nenit 19, Paragrafit 10 të Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat. Ky veprim është në harmoni me rregullat dhe kushtet e përcaktuara përmes Udhëzimit Administrativ për zbatimin e këtij Ligji. Përpos produkteve ushqimore, ka edhe produkte të tjera që mund të kategorizohen si humbje në bazë të thyerjes, prishjes apo dëmtimeve të tjera që ndryshojnë përmbajtjen fizike apo kimike të produktit”, vijon njoftimi.

Në fund, Rrjeti i Shitësve me Pakicë kërkon zgjidhje afatgjatë të trajtimit të firos/kallos në harmoni me legjislacionin e shteteve të BE-së. Rrjeti i Shitësve me Pakicë propozon si zgjidhje të mundshme një rregullore të specializuar që merret vetëm me këto aspekte.

“Për shembull, mund të miratohet një udhëzim administrativ që udhëzon se si të regjistrohet hyrja e çdo produkti në kuptim të humbjes. Një tjetër mundësi është që kjo çështje të trajtohet brenda projektligjit mbi tatimin mbi vlerën e shtuar. Rrjeti i Shitësve me Pakicë kërkon që kjo barrierë e bizneseve të lartpërmenduara të trajtohet sa më parë që të minimizohen dhe eliminohen humbjet që po pësojnë bizneset pa nevojë dhe jo për faj të tyre”, përfundon njoftimi. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme