Bizneset synojnë rritjen e eksportit përmes rrjetëzimit me bizneset e diasporës

Prishtinë | 26 Nën 2019 | 08:24 | Nga Ekonomia Online

Bizneset kosovare synojnë rritjen e eksporteve në tregun evropian përmes rrjetëzimit me biznese të diasporës dhe atyre të huaja.

Për këtë të hënën është hapur konventa dyditore e bizneseve, e cila organizohet për herë të tretë në Kosovë, nga Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare nga Evropa dhe projekti i USAID Empower Sektori Privat në partneritet me SIDA-n, shkruan sot Koha Ditore.

Gjatë dy vjetëve të kaluar përmes kësaj konvente ishin zhvilluar 542 takime B2B mes 401 bizneseve të diasporës dhe 132 bizneseve të Kosovës, duke rezultuar me nënshkrim të 12 kontratave, 42 marrëveshjeve dhe oferta të reja të iniciuara, dhe kontrata të reja të shitjes me vlerë 1.1 milionë euro.

Për këtë drejtori i Zyrës së USAID-it për zhvillim ekonomik, Joshua Mike, përgëzoi bizneset nga diaspora që po vazhdojnë këtë traditë për të lidhur bizneset e Kosovës me tregjet e reja drejt Bashkimit Evropian. “Përmes vizitave në terren, duke biseduar në konventa të ndryshme, duke u takuar me udhëheqësit e bizneseve, është një optimizëm i shëndetshëm për një të ardhme më të ndritur ekonomike, dhe një element kritik i kësaj është marrëdhënia ndërmjet diasporës dhe udhëheqësve të bizneseve në nivel vendi”, ka theksuar Mike.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme