Biznesmeni Burim Piraj nuk e pret Qeverinë, vendos që paga minimale të jetë 400 euro

Prishtinë | 23 Shk 2022 | 11:18 | Nga Ekonomia Online

Pronari i “Meka Halal Food”, Burim Piraj, ka njoftuar se ka vendosur që paga minimale në kompaninë që drejton nga 1 marsi 2022 të jetë 400 euro.

Në një postim në Facebook, Piraj ka thënë se nuk ndihet mirë kur e sheh vendin në një gjendje kaotike ku fuqia punëtore është e sfiduar për ekzistencë nën presionin e rritjes enorme të çmimeve të artikujve esencialë dhe të energjisë.

“Si pjesëtar i komunitetit të biznesit në vend nuk mund t’i lejoj vetvetes rolin e spektatorit të ngjarjeve ekonomike dhe politike në vend”, ka theksuar Piraj.

“Kosova është Atdheu ynë dhe ne duhet me aq sa mundemi të japim kontribut”.

“Sot kam marrë vendim që paga minimale në firmën time MEKA HALAL FOOD nga 1 Marsi 2022, me emrin e të Madhit Zot, të jetë 400 €”, ka shkruar ai.

Ministria e Financave është në finalizim të Projektligjit për rritjen e pagës minimale, por niveli i saj ende nuk është vendosur.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e tij së shpejti do të dalë me propozimin për nivelin e pagës minimale.

Në fillim të mbledhjes së Qeverisë, Kurti tha se rritja e pagës minimale do të bëhet me qëllim që njerëzve t’u mundësohet jetë më e dinjitetshme.

Paga minimale në Kosovë është 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç.

Para ardhjes në detyrë, kryeministri Albin Kurti ishte zotuar që rritja të jetë në 250 euro.

Por, sindikatat kërkojnë që rritja të jetë së paku 350 euro. Madje, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK), Jusuf Azemi, tha sot në një konferencë shtypi se nuk do të pajtohen me asnjë pagë minimale nën 400 euro.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme