Bordi i AKP-së transferon në Buxhetin e Kosovës 42 milionë euro fonde të mbetura

Prishtinë | 28 Qer 2018 | 13:02 | Nga

Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) mbajti mbledhjen e parë në përbërjen e re të miratuar ditë më parë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Në mbledhje u diskutuan dhe u morën vendime të rëndësishme për procesin e privatizimit dhe përmbylljen e likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore në vend. Konkretisht, Agjencia ka vendosur që të transferojë në buxhetin e Republikës së Kosovës mbi 42 Milion e 159 mijë e 638 € të kualifikuara si “fonde të mbetura” pas përmbushjes së kërkesave kreditore. Po ashtu, Bordi morri vendim për shpërndarjen e përkohshme të kreditorëve në vlerë prej mbi 501 mijë €, si dhe aprovoi shpërndarjen e fondeve të 20% për punëtorët e NSH Unimont dhe NSH Betonjerka në vlerë prej 202 mijë e 255 €, respektivisht 655 mijë e 550 €.

Gjatë kësaj mbledhje Bordi i Drejtorëve ka aprovuar bartjen e pronës së NSH Semafori në emër të Trustit të Kursimeve Pensionale sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës për shpronësim, dhe atë pasi ka pranuar në llogarinë e NSH Semafori vlerën prej 591 mijë € për të mbuluar pagesat për 20% të punëtorëve si dhe kërkesat kreditore të kësaj NSH-je. Bordi po ashtu ka diskutuar dhe aprovuar bartjen e Pallatit të Rinisë në kompetencë të Komunës së Prishtinës sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës pas nënshkrimit të marrëveshjes për bartje me autoritetet komunale.

Bordi u azhurnua mbi zhvillimet e fundit nga Menxhamenti i AKP-së lidhur me aktivitetet e AKP-së për periudhën 01 dhjetor 2017 – 31 maj 2018 dhe gjithashtu diskutoi dhe miratoi Raportin Vjetor 2017 të AKP-së si dhe buxhetin për vitin 2019. Bordi aprovoi revidimin e planit të shitjes për pjesën e mbetur të vitit 2018 dhe po ashtu miratoi listën e aseteve të shitjes në likuidim SHAL 40 e cila do të ketë shumë asete atraktive për investitorë të brendshëm e të jashtëm. Për datat e shpalljeve dhe pranimit të ofertave për këtë shitje, investitorët do të njoftohen në ueb faqen e Agjencisë dhe media.

Bordi shqyrtoi dhe miratoi propozimin për lirimin nga Marrëveshja e Zotimeve për Ndërmarrjen e Re “Emin Duraku Edico” Gjakovë, si dhe mori vendim lidhur me Ndërmarrjen e Re “Famipa” me të cilin blerësit i janë shqiptuar ndëshkime financiare me mbi 1 300 000 € për mospërmbushje të detyrimeve kontraktuale., Bordi aprovoi qiradhëniet e disa aseteve të Ndërmarrjeve Shoqërore për institucione publike dhe persona fizikë, sikurse që edhe aprovoi raportin e komisionit për shitjen e banesave në pronësi shoqërore.

Agjencia do të njoftojë me kohë palët për vendimet e marra në mbledhjen e Bordit, ndërkaq mbledhja e radhës do të mbahet me datë 25 korrik 2018.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme