Bordi i KEK-ut e pranon se kishte keqmenaxhim në procesin e prokurimit, premton transparencë

Prishtinë | 24 Maj 2022 | 12:21 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Gjatë shqyrtimit të raportit të auditimit të performancës “Prokurimi në Korporatën Energjetike të Kosovës (2018-2020)”, kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Hykmete Bajram, theksoi se gjetjet nga auditori në KEK janë tepër shqetësuese, pasi ka dhjetëra kontrata të firmosura me negocim të drejtpërdrejtë dhe mungesë të transparencës.

Deputetja Bajrami ka thënë se në këtë periudhë janë shpenzuar 181.5 milionë euro, prej tyre rreth 60 milionë euro me kontrata të negociuara, gjë që ka shkaktuar kontrata më të shtrenjta.

Ajo ka numëruar kontratat, edhe sa i përket blerjen e kushinetave, të cilat sipas saj, kanë qenë të dëmshme për buxhetin e KEK-ut.

“Ka pas raste kur ka pasur kërkesa që e kanë limituar konkurrencën. Si rezultat ka pasur ankesa në OSHP, ku më pas KEK ka hyrë në negocim të drejtpërdrejt me konstruktorët, që fillimisht i ka konsideruar të papërgjegjshëm. Nuk ka në asnjë rast ku ne kemi vërejtur që janë shqiptuar ndëshkime”.

Në vazhdim, ajo shpalosi gjetjet prej kontratave. “Prej mostrës është për gjatë tre viteve është llogaritur që prej shumës 181.5 milionë diku 18% janë kontrata të negociume”, tha ajo.

 “Në kudër të mostrës ZKA-ja ka vërejtur që ka pasur mungesë të planifikimit. 34 aktivitete të prokurimit për blerje të kushinetave të formave të ndryshme… kjo është humbje e kohës dhe e resurseve njerëzore”, theksoi Bajrami.

 “Ato kushineta nuk janë montuar dhe iu ka skaduar afati i garancisë. ZKA-ja ka ardhë në përfundim që në njërën kontratë, 52% të kushinetave kanë qenë të pamontuara… ZKA-ja thotë se edhe pse të gjitha këto informata kanë qenë në kartelën e secilës kontratë, informata që s’i ka pasur as Zyra e Prokurimit. Janë blerje të panevojshme”.

 Ajo tha se në raport të ZKA vërejtur se gjatë tri viteve 377 mijë euro janë shpenzuar vetëm në promovimin e korporatës në media.

“98 kontrata me media për promovimin e punës së KEK. Sa është e nevojshme që të shpenzohet një shumë e tillë? Si ndikon promovimi i kësaj pune…. publiku duhet me i ditë aktivitetet e KEK-ut”.

Ajo tutje tha se është vërejtur që numri i punëtorëve ka rënë vazhdimësi.

Kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, nuk ka mohuar të gjeturat nga auditori, por tha se nuk merr përgjegjësi, pasi që në krye të KEK-ut, ka ardhur në tetor të vitit 2021.

Ani se nuk mori përgjegjësi për gjetjet e autorit në periudhën 2018-2020, ai tha se neglizhenca ka ndikuar që KEK-u të zhytet në këso lloj kontrata të negociuara.

“Shumica e gjetjeve që ZKA-ja i ka listuat qëndrojnë. Megjithëse, ka kohë pas kohe gjëra që mund të jenë edhe specifike për natyrën e operimit të KEK-ut që duhet sikur ka pasur neglizhencë. Unë jam në postin tim nga tetori i vitit të kaluar. Nuk mund të jap përgjigje për të gjitha pyetjet. Disa punë ne nuk mund ta ndalim bllokun, edhe pse ka qenë e paraparë të ndalet në vitin 2020… Në përgjegjësi qëndron edhe ajo që neglizhenca ka ndikuar që pastaj KEK-u të hyjë në prokurime edhe që i shkelin rregullat e prokurimit”, tha ai.

Krasniqi tha se dje i kanë dërguar komentet tek ZKA-ja , për të cilën tha se rekomandimet e tyre janë të përgjithësuara.

“Ne do të mundohemi që gjetjet t’i implementojmë edhe nuk kemi pse të kemi kundërshtime në ato që qëndrojnë”.

Edhe Skender Haziri, kryesues i Bordit të KEK-ut, tha se nuk ka informata të plota për aktivitetet e prokurimit që kanë ndodhur në periudhën 2018-2020, por premtoi se bordi i ri do të marrë masë për përmirësimin e prokurimit në KEK.

“Meqenëse jam i ri, sigurisht as unë s’kam informata shumë të sakta të procesit të prokurimit që përfshihen në periudhën e auditimit”.

“Ne pajtohemi që ka pasur keqmenaxhim të kontratave. Ka hapësire për përmirësim. Sidoqoftë, mendoj që disa prej tyre kanë filluar të përmirësohen dhe janë bërë disa ndryshime në 2021 se është herët me thënë 2022. Të gjitha rekomandimet që janë të zbatueshme KEK-u do të zbatohen pa kompromis. Ne e mirëpresim përkrahjen e ZKA-së, sepse rekomandime e tyre i konsiderojmë si përkrahje”.

Ndihmës-Auditorja e Përgjithshme nga ZKA, Mirvete Gashi, tha se kanë pranuar vetëm një koment nga KEK-u. “E kemi shqyrtuar  dhe kemi reflektuar në draft-raport. Pos kësaj, s’kemi pranuar diçka”.  

“Është përgjithësi e bordit që të bëjnë analizë në lidhje me veprimtarinë e KEK-ut dhe në përputhje me të të implementojnë praktikat e mira”.

Tutje kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi tha se para se të fillonte punën në KEK, kishte punuar në sektorin financiar në këtë institucion.

 “Para se të vij në KEK kam punu në sektorin bankar 10 vite. Në peirudhën 2006-2008 kam qenë drejtor financiar në KEK”.

Krasniqi tha se komente të tjera s’kanë pasur pasi janë pajtuar me të gjitha gjetjet e ZKA-së.

“Problemi kryesor, menaxhimi i të gjitha depove në KEK nuk është bërë në mënyrë të centralizuar. Një njësi porosit diçka, përderisa njësia tjetër mund ta ketë të njëjtën. Problemi që duhet të zgjidhet në radhë të parë është të bëhet centralizimi i depove”.

“Nuk mund të bëhet kjo me e-maila sepse dërgon dikush e-mail e nuk përgjigjet. Mënyra se si bëhet është se kur bëhet centralizimi në softwerin qendror askush nuk mund të bëjë porosi diçka që ka në deponi. Ne jemi në proces të implementimit të një moduli që ka të bëjë me menaxhimin qendror të depove”.

Halil Thaçi nga VV-ja pyeti se cilat media janë financuar, kurse në përgjigjen e tij, Skender Bucolli, shef i Zyrës për Informim në KEK tha se më 2020 janë pajtuar me auditimin që 37 media kanë qenë shumë.

Sipas tij, në medie është bërë promovimi i Qendrës së Trajnimeve, një prej pikave që është më e mira e që ofron disa shërbime dhe që ofron edhe licenca ndërkombëtare. “Pika kryesore ka qenë vetëdijesimi i qytetarëve me punën e KEK-ut”.

Auditori Arben Selimi tha se fushëveprimi i autidimit përfshin tri vite: 2018, 2019 dhe 2020. “Ka kontrata në mesin e tyre që i kemi përzgjedhur që s’kanë pasur asnjë gjetje. Ato që kanë pasur gjetje i kemi prezantuar”.

Për çështje që janë në gjykatë janë anashkaluar. “Kjo është politikë e zyrës për shkak se i bjen që ne me pasë njëfarë përfshirje në proces. Nëse kontratat janë në proces e sipër tu u zbatu tentojmë me u shmang”, deklaroi Selimi.

Të ngjashme