Bordi i ZRrE miraton Planin Zhvillimor 10-vjeçar të Ndërmarrjes së ngrohjes qendrore “Termokos”

Prishtinë | 11 Kor 2019 | 12:57 | Nga Ekonomia Online

Në seancën e shtatë me radhë, të mbajtur Bordi i Rregullatorit për Energji (ZRRE), ka shqyrtuar disa çështje që kanë të bëjnë me rregullimin e sektorit të energjisë.

Fillimisht janë shqyrtuar kërkesat e shoqërisë “SOWI Kosovo” L.L.C për modifikim të autorizimeve finale për ndërtim të kapaciteteve gjeneruese të energjisë nga era. Bazuar në kërkesën e kompanisë dhe për shkak të specifikave teknike të shfaqura gjatë realizimit të projektit, Bordi ka miratuar kërkesën për zvogëlimin e numrit të turbinave të erës duke e zvogëluar kapacitetin e tyre në vlerë prej 34,47 MW, për të tri nga projektet e kësaj kompanie që pritet të realizohen në komunën e Mitrovicës.

Gjithashtu Bordi ka miratuar kërkesën e shoqërisë “EKO -ENERGJI” SH.P.K., për shtyrje të afatit të vlefshmërisë së Vendimit për Autorizim, me qëllim të finalizimit të punimeve në Hidrocentralin “HC BINQA” me kapacitet të instaluar prej 1 MW, i cili do të ndërtohet në komunën e Vitisë.

Bordi ka aprovuar edhe kërkesën e shoqërisë “KelKos Energy” SH.P.K., për shtyrjen e afatit të Vendimit V_1120_2019 edhe për nëntëdhjetë ditë, me qëllim të kompletimit të aplikacionit dhe pajisjes me certifikatën e përdorimit dhe Lejen Mjedisore nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, për Hidrocentralet “Belaja” dhe “Deçani”. Ndërsa sa i përket kërkesës për Hidrocentralin “Lumëbardhi II”, nuk ka kaluar në seancën e sotme për shkak të numrit të njëjtë të votave të Bordit pro dhe kundër kësaj kërkese, duke bërë kështu që vendimi paraprak të vazhdojë të mbetet në fuqi.

Bordi i ZRRE-së, poashtu ka aprovuar edhe kërkesën e personin juridik BESIANA –G SH.P.K., për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese për vetë-konsum nga panelet solare fotovoltaike, me kapacitet të instaluar prej 69 kW.

Po ashtu Bordi ka miratuar Planin Zhvillimor dhjetë vjeçar të Ndërmarrjes së ngrohjes qendrore “Termokos”. Plani Zhvillimor paraqet masat efikase që do të merren për të garantuar përshtatshmërinë e sistemit dhe për të siguruar furnizim sa më të mirë me ngrohje qendrore, duke përshirë planifikimet për ndërtimet dhe përmirësimet e nevojshme gjatë dhjetë vjetëve të ardhshme në infrastrukturën e ngrohjes qendrore në komunën e Prishtinës.

Me shumicë të votave Bordi ka vendosur që Mekanizmi mbështetës për caqet shtesë të Burimeve të Renovueshme të shqyrtohet në ndonjë nga seancat e ardhshme të Bordit, për shkak të komenteve të shumta që kanë ardhur e për të cilat, siç vlerësoi Bordi, nevojitet një analizë e përgjithshëm e procedurës që do të aplikohet për mbështetjen e caqeve shtesë të këtyre burimeve.

Pjesë e shqyrtimit të Bordit në këtë seancë kanë qenë edhe disa ankesa të konsumatorëve si dhe çështje të tjera të rregullimit të sektorit.

Të ngjashme