BQE-ja e gatshme për më tepër stimuj financiar

Prishtinë | 02 Tet 2019 | 14:12 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi është shprehur se institucioni mund të bëjë edhe më shumë nëse është e nevojshme, për të nxitur rritjen ekonomike të Evropës, pasi vlerësohet se ka ende hapësirë për më tepër politika monetare.

Ai gjithashtu përsëriti thirrjen që qeveritë e Eurozonës të mbështesin këtë përpjekje me shpenzime të shtuara fiskale.

“Të gjitha instrumentet monetare në lojë, që nga normat e interesit apo blerjet e pasurive e deri tek udhëzimet përpara implementimit të masave janë gati të kalibrohen”, tha ai për Financial Times duke theksuar se Banka Qendrore Evropiane mbetet e vendosur në ndjekjen e objektivit të saj rreth qëndrueshmërisë së çmimeve.

Megjithëse në fund të mandatit të tij si kreu i institucionit më të rëndësishëm të politikave monetare në Evropë, Draghi vazhdon ende të mbajë një rol aktiv. Si guverantori i Bankës Qendrore, ai përsëriti gjithashtu mendimin e tij të mëhershëm se, më shumë shpenzime qeveritare nga vendet e Eurozonës do të ndihmonin shumë në përmbushjen e misionit të Bankës.

Draghi paralajmëroi se stimuli aktual “mund të duhet të zgjasë për një kohë më të gjatë nëse nuk ka mbështetje nga politika fiskale”.

Por komentet e tij shihen si pa vend, në shtete si Gjermania që tradicionalisht kanë refuzuar politikat për ç’balancimet e buxheteve të qeverisë, me qëllim stimulimin e ekonomisë. Takimi më i fundit, ku Banka Qendrore Evropiane njoftoi përsëri uljen e normave, shkaktoi revoltë tek zyrtarët e mërzitur me planin e Draghit për të riaktivizuar lehtësimin sasior. Shumë politikbërës nga Bankat Qendrore të vendeve si Gjermania, Franca dhe Holanda, kundërshtuan ashpër masën.

Nga ana tjetër, anëtarja gjermane e Bordit Ekzekutiv të Bankës, Sabine Lautenschlaeger u largua papritur javën e kaluar, më shumë se dy vjet para përfundimit të mandatit të saj, pa dhënë shumë shpjegime rreth arsyes, megjithëse ajo dallohej si një nga kundërshtaret e planit Draghi.

Ky i fundit indirekt fajësoi Bundesbank për marrëdhëniet e tij të tensionuara me publikun gjerman, në një kohë kur gazeta Bild e kishte portretizuar atë më herët, si një vampir që thithte kursimet e gjermanëve.

Në deklaratën për Financial Times, Draghi tregoi gjithashtu një numër rreziqesh me të cilat përballet rajoni, përfshirë rrezikun në rritje të një daljeje BREXIT pa marrëveshje tregtare me Unionin. Ai kërkoi një bashkim më të ngushtë fiskal për zonën e euros, duke thënë se pa këtë, zona e monedhës së përbashkët do të mbetet një “grupim i brishtë”.

“Ne kemi nevojë për një buxhet të përbashkët të zonës euro. Eshtë e qartë se debati politik për këtë ka ende shumë rrugë për të bërë, por unë jam optimist!”, u shpreh Draghi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme