BQK hap Javën e Parasë, do të ketë ligjërata e konkurse

Prishtinë | 09 Mar 2018 | 14:49 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka hapur Javën Ndërkombëtare të Parasë, e cila sivjet shënohet me moton “Të mësojmë si të fitojmë dhe kursejmë më shumë”.

Ushtruesi i detyrës së guvernatorit, Fehmi Mehmeti, tha se kjo javë ndahet në tri faza dhe iu dedikohet fëmijëve, si dhe studentëve të Universitetit të Prishtinës.

Mehmeti tha se edukimi financiar ndikon në vetëdijesimin e qytetarëve për përdorimin e parasë.

“BQK këtë javë e shënon me shumë aktivitete këtë javë me qëllim të rritjes së vetëdijesimit. Edukimi financiar ndikon në vetëdijesimin e qytetarëve për përdorimin e parasë. Faza e parë e kësaj jave u dedikohet fëmijëve; faza e dytë u dedikohet studentëve, me ç’rast do të mbahen ligjërata; dhe në fazën e tretë do të ketë një konkurs për studentët e Universitetit të Prishtinës”, shpjegoi Mehmeti.

U.D. guvernatori tregoi se në kuadër të kësaj, BQK lanson portalin ku mund të gjenden materiale për edukimin financiar.

Më pas, Mehmeti foli edhe rreth zhvillimeve të fundit të sektorit financiar në Kosovë.

Ai tha se vazhdon të ketë rënie të normave të interesit për kredi. Sipas tij, në fund të vitit 2017 norma ishte 6.1 për qind. “Kredidhënia ishte në vlerë 2.8 miliardë euro për vitin 2017. Kreditimi bankar regjistroi përmirësim të kushteve”.

Nga ana tjetër, kreditë janë rritur për 11.3 për qind në janar të këtij viti. Gjithashtu, sektori i sigurimeve ka shënuar rezultate pozitive.

Ndërkohë dhe niveli i kredive joperformuese është i ulët, krahasuar madje edhe me vende të BE-së.

Të ngjashme