BQK tregon gjendjen e sistemit financiar

Prishtinë | 19 Dhj 2018 | 16:52 | Nga Ekonomia Online

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti i shoqëruar nga Sokol Havolli, Zëvëndësguvernator, Shkëndije Himaj, Koordinatore për Funksione të Përgjithshme dhe Arben Mustafa, Kryeekonomist ka takuar misionin e Bankës Botërore që po e viziton Kosovën.

Guvernatori Mehmeti ka informuar zyrtarët e këtij misioni për gjendjen në sistemin financiar.

Me këtë rast, Guvernatori Mehemeti ka deklaruar se sektori financiar ka pasur zhvillime pozitive, ku kreditimi bankar ka shënuar rritje vjetore prej mbi 11.5%, ndërsa normat e interesit në kredi zbritën në 6.6%, kurse norma e kredive joperformuese ka shënuar rënie në rreth 2.7%.

Për më tepër, Guvernatori Mehmeti informoi misionin për aktivitetet e vazhdueshme të BQK-së në avancimin e mëtejmë të kornizës rregullatore të sistemit financiar, sipas standardeve më të mira ndërkombëtare.

Misioni i Bankës Botërore i kryesuar nga Asli Senkal, ekonomiste, Ekaterina Vostroknutova, ekonomiste kryesore dhe zyrtarë tjerë falenderuan Guvernatorin Mehmeti për bashkëpunimin e vazhdueshëm, si dhe diskutuan për mënyrat e rritjes së mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet Bankës Botërore dhe BQK-së.

Misioni i Bankës Botërore që këtë javë do të qëndroj në Kosovë, objektiv kryesor ka identifikimin e veprimeve të mundshme që do të mbështeten nga Operacioni i Financimit të Politikave të Zhvillimit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme