BSPK: Deklarata e Qeverisë është ndërhyrje, një sistem demokratik përcakton funksionimin e organizimeve sindikale

Prishtinë | 05 Dhj 2021 | 23:46 | Nga Ekonomia Online

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka reaguar në lidhje me deklaratat e kryeministrit Albin Kurti , i cili në një konferencë shtypi,deklaroi se pas ndryshimit të qeverisjes, duhet të ketë ndryshime edhe në krye të organizatave sindikale.

Në një reagim, BSPK thekson se deklarata e Qeverisë është ndërhyrje, e kërkesat sindikale janë në mbrojtje të të drejtave. Bashkimi i Sindikatave ka kërkuar sërish të përshpejtohet miratimi i Ligjit të Pagave.

BSPK rikujton se në një sistem demokratik, funksionimi i organizimeve sindikale është i garantuar me ligj.

REAGIMI I PLOTË:

Organizimet sindikale në Republikën e Kosovës janë organizime të bazuara në ligjet ekzistuese. Janë të themeluara dhe funksionojnë po me ligjet e Republikës së Kosovës.

Qeveria si partneri social kryesor i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës nuk do të duhej të ndërhyjë në funksionimin sindikal, njëjtë siç kujdeset edhe organizimi sindikal të mos ndërhyjë në funksionimin e Qeverisë.

Kërkesat e drejta dhe legjitime të Organizatave sindikale nuk janë ndërhyrje në punën e Qeverisë por janë në mbrojtje të të drejtave të punonjësve.

Bashkëpunimi midis partnerëve socialë duhet të jetë parimor dhe i drejtë e mbi të gjithë ligjor.

Ndërhyrja dallon prej kërkesës.

Deklarata e Qeverisë është ndërhyrje, e kërkesat sindikale janë në mbrojtje të të drejtave. Të kërkohet përshpejtimi i miratimit të Ligjit të Pagave nuk është ndërhyrje po është kërkesë e drejtë.

Dhe të mos harrohet se një sistem demokratik dhe tejet ligjor përcakton funksionimin e organizimeve sindikale, ku përfshihet edhe zgjedhja e atyre që udhëheqin dhe përfaqësojnë këto organizime si të përzgjedhur legjitim të atyre që përfaqësohen – sindikalistë anëtarë të organizimeve sindikale.

Të ngjashme