Bujqit serbë të painteresuar për të shfrytëzuar subvencionet dhe grantet

Prishtinë | 30 Mar 2017 | 12:05 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Bujqit serbë në Kosovë janë të painteresuar për të shfrytëzuar subvencionet, grantet dhe të gjithë mbështetjen që ofron qeveria e Kosovës për qytetarët e saj.

Për këtë Oda Ekonomike e Kosovës ka organizuar një takim, ku bujqit serbë nga të gjitha trevat e Kosovës kanë mundur të marrin informatat e nevojshme mbi mundësitë për subvencione që ofrohen për aktivitetet bujqësore, raporton Ekonomia Online.

Zëvendësministri i Bujqësisë, Rodolju Miladenoviq, tha se nga takimet që kanë zhvilluar nëpër të gjitha zonat ku jetojnë serbët në Kosovë janë dhënë informata të mjaftueshme.

Ai shprehet i habitur se përse serbët nuk shprehin vullnet që të marrin mbështetjen e institucioneve të Kosovës, derisa të pranishmëve iu shpjegoi të gjitha mënyrat e aplikimit të granteve dhe subvencioneve që ofron ministria e bujqësisë.

“Personalisht nga vizitat që kemi pasur në terren i kam informuar bujqit lidhur me grantet dhe subvencionet që ministria e Bujqësisë ndanë për çdo vit. Por unë nuk e di pse ata nuk kanë aplikuar dhe dua që në listat e ministrisë së Bujqësisë të ketë sa më shumë serbë që përfitojnë nga kjo mbështetje”, tha ai.

Zëvendësministri Miladenoviq u angazhua që ky takim të jetë si fillim i një bashkëpunimi të përhershëm në mes të MBPZHR dhe përfaqësuesve të bizneseve nga veriu i vendit.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu ka vlerësuar lartë takimin e parë të organizuar nga OEK në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe organizatën jo qeveritare “Aktiv” nga Mitrovica e Veriut me më shumë se 20 biznese nga kjo pjesë e vendit kushtuar mundësive të bashkëpunimi në mes të OEK-ut dhe bizneseve nga kjo pjesë e Kosovës.

“Ne si Odë Ekonomike dëshirojmë ta përdorim bashkëpunimin ekonomik si mekanizëm i ardhmërisë për të gjithë. Në Kosovë flitet shumë për normalizim, për dialog dhe shembulli i vërtetë për dialog është ky. Dialogu dhe bashkëpunimi ekonomik nuk kanë alternativë dhe ne duhet të përcaktojmë ku jemi dhe ka dëshirojmë të shkojmë”, tha kryetari Gërxhaliu.

Kreu i OEK-ut tha se problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët e Kosovës janë të njëjta në të gjitha pjesët e vendit.

“Shpresë për të gjithë ne është puna e jonë dhe bashkëpunimi ekonomik dhe kjo është edhe dëshirë e të gjithëve. E di se problemet nuk zgjidhen ndryshe veç se me dialog dhe bashkëpunim ekonomik”, tha ai.

Ai ka vlerësuar se është koha kur duhet të ndahet politika nga ekonomia dhe sot në këtë takim do të flitet për çështjet ekskluzive ekonomike.

“Ne nuk duhet të humbim kohë për ta zbukuruar të kaluarën se do ta humbim ardhmërinë. Ndërsa ardhmëria është aq e rëndësishme për të gjithë ne sepse ajo është perspektiva dhe vizioni për të ardhmen. Këtu jemi që të sigurojmë që e ardhmja të jetë në favor tonin e jo e kaluara e cila nuk mund të kthehet”, tha kryetari Gërxhaliu.

Miodrag Miliqeviq drejtor ekzekutiv i OJQ-së “Aktiv” theksoi se çështjet ekonomike janë të rëndësisë vitale për zhvillimin e të gjitha bashkësive nacionale në Kosovë dhe që ky takim do të jetë kontribut avancimit të bashkëpunimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme nga veriu i Kosovës dhe institucioneve qendrore.

“’Aktiv’ përveç tjerash ka pas edhe një detyrë të rëndësishme që të forcoj bashkëpunimin ndëretnik me qëllim të përmirësimit të klimës ekonomike në veri të Kosovës. Duke pas parasysh specifikat e pjesës veriore të Kosovës fillimi i këtij procesi nuk ishte aspak i lehtë”, tha Miliçeviq.

Në debatin e organizuar pjesëmarrësit, përfaqësues të bizneseve nga veriu u njoftuan në detaje lidhur me mundësitë e bashkëpunimit me MBPZHR-në dhe institucionet tjera të vendit por njëkohësisht i paraqiten probleme dhe pengesat e shumta me të cilat ballafaqohen në punën e tyre të përditshme.

Lexo më shumë:

Të ngjashme