Bytyqi: Projektligji për Inovacion dhe Transfer të dijes, i nevojshëm për zhvillimin e ideve të të rinjëve

Prishtinë | 03 Pri 2018 | 11:59 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi ka mbajtur dëgjim publik lidhur me Projektligjin për Inovacion Shkencor dhe Transfer të Dijes dhe Teknologjisë.

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi tha se debate të tilla i shërbejnë ligjit dhe e bëjnë atë më funksional.

“Konsideroj që tani jemi në një fazë të një standardi të ri sepse u hapet mundësi të rinjëve që të zhvillohen. Sot po diskutohet shumë se si duhet t’i qasemi inovacionit. Kemi një varg institucionesh që do të jenë bartës të projektligjit. MAShT në pritje të projektligjit është duke marrë masa tjera. Gjithashtu është një lajm i mirë se në fillim të këtij muaji do të jemi anëtarë të KOST-it që ka të bëjë kryesisht me çështje të inovacionit. Në projektligj flasim për inovacion shkencor dhe jo produkt të prekshëm”, tha ai, raporton Ekonomia Online.

Vanesa Rexhepi, këshilltare në Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, tha se projektligji ndihmon në zhvillimin e ideve inovative te të rinjtë.

“Ministria e Inovacionit është krijuar në bazë të nevojës. Mendoj që ky projektligj është i qartë për Ministrinë e Inovacionit dhe Ministrinë e Arsimit. Ky projektligj është i mirëseardhur për ndërtimin e objekteve që mund të ndihmojnë në zhvillimin e ideve të të rinjëve”, tha ajo.

Kryetari i këtij komisioni, Ismajl Kurteshi tha se ky dëgjim publik krijon mundësi për shqyrtim të ligjt.

“Ky projektligj ka ardhur në komision para dy javësh. Ky dëgjim publik i hap rrugë komisionit të shqyrtojë projektligjin nen për nen”, tha ai.

Arianit Zabërgja, bashkëthemelues i kompanisë “Formon” dhe përfaqësues i ICK-së, tha se projektligji është bërë në kohë të qëlluar.

“Ky projektligj duhet të koncentrohet në vështirësitë e bizneseve me shiku se çka kemi kalu deri tash. Ne si kompani kemi kriju 3D printera. Çka kemi pasë gjatë procesit të krijimit është procesi i zhvillimit të produktit dhe problem i madh ka qenë prodhimi i prototipit”, tha ai.

Hysen Matoshi nga Instituti Albanologjik tha se në rend të parë duhet të jenë universitetet, sepse kanë potencial më të madh për zhvillim të Inovacionit.

“Mendoj që janë përmendur një numër i konsiderushëm i bartësve të inovacionit, mirëpo mendoj që universitetet do të duhej të ishin bartës kryesorë të inovacionit. Në rend të parë do të duhej të ishin universitetet të cilat japin më shumë potencial për inovacion”, tha ai.

Të pranishëm në këtë dëgjim publik ishin 16 institucione të vendit që merren me këtë fushë.

Të ngjashme