CEFTA, peng i mosmarrëveshjeve Kosovë, Bosnje e Serbi

Prishtinë | 19 Nën 2018 | 10:57 | Nga Ekonomia Online

Të martën Prishtina mirëpret grupet e punës të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë në Ballkan, CEFTA, por duket se takimi do të mbahet pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga Bosnje-Hercegovina dhe Serbia.

Takimi i së martës (në Prishtinë i grupeve të punës të marrëveshjes së tregtisë së lirë CEFTA duket se do të mbahet pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga Bosnje-Hercegovina dhe Serbia. Ata kanë paralajmëruar bojkotim të aktiviteteve të Prishtinës, për sa kohë mbetet në fuqi taksa prej 10 për qind për produktet e këtyre dy vendeve.

Paralajmërimin e ka bërë zëvendësministri i Serbisë për Tregtinë, Rasim Lajiq, gjithashtu kjo i është përcjellë edhe Sekretariatit të CEFTA-s në Bruksel. Pala kosovare nuk ka dhënë ndonjë shenjë se masa do të hiqet, por ndërkohë kanë filluar përgatitjet për aktivitetet e fundvitit të lidhura me CEFTA-n. Kosova është udhëheqëse e CEFTA-s këtë vit, me këtë edhe nikoqire e Ministrive të Tregtisë te rajonit në Prishtinë. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës në javën e CEFTA-s, që do mbahet në dhjetor ka paralajmëruar “përmbylljen e suksesshme të kryesimit të Republikës së Kosovës përgjatë një viti me Marrëveshjen e CEFTA-s”.

Deutsche Welle ka zhvilluar një bisedë me drejtorin e Sekretariatit të CEFTA Emir Xhikiq, i cili ka shpjeguar ecurinë e deritashme të zhvillimeve pas futjes së masës doganore nga Kosova dhe punën e CEFTA-s. Ai tregon se në Sekretariat nuk ka ardhur asnjë njoftim nga pala kosovare dhe ai nuk e ka parë vendimin dhe arsyetimin e tij. “Për momentin ne nuk jemi të njoftuar nga palët për rastin përveç një letre që Bosnje-Hercegovina ja ka dërguar Komisionit Evropian, dhe e dimë rastin nga mediat”, ka thënë Xhikiq.

“Javën e kaluar në një takim në Vjenë Bosnja dhe Serbia kanë kërkuar më shumë informata nga Kosova. Por kjo ka ndodhur në ditën kur taksa ka hyrë në fuqi dhe pala kosovare nuk ka pasur shumë informata”, ka shtuar ai.

Përderisa çështja e tarifës kosovare mbetet e pasqaruar dhe e kritikuar ashpër nga Bashkimi Evropian, në kuadër të CEFTA-s vazhdojnë përpjekjet për ta bërë këtë organizatë më funksionale. Këtë vit Kosova ka pasur ulësen e udhëheqësit të organizatës dhe janë përgatitur rregulla të reja, të cilat duhet të kalojnë në mbledhjen e Komitetit të Përbashkët paraparë të mbahet në dhjetor të këtij viti në Prishtinë.

CEFTA si forum i negociatave të tregtisë në mes të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Moldavisë nuk ka qenë tërësisht efektive për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Megjithatë disa çështje kanë filluar në kuadër të këtij forumi dhe kanë gjetur zgjedhjen e merituar. Deri në vitin 2016 Kosova ka raportuar 12 raste dhe prej tyre ka raportuar 7 si të zgjedhura.

Një nga mosmarrëveshjet e para që ka filluar në CEFTA, e cila pastaj është zgjidhur në mes të Kosovës dhe Serbisë ka ndodhur në Prill të vitin 2016, kur Serbia futi masën jo tarifore të mospranimit të lejeve të qarkullimit të mauneve me naftë të lëshuara nga institucionet kosovare. Pas ankesave në CEFTA Kosova pati futur masën e njëjtë që pas pak kohe rezultoi me heqjen e masës nga Serbia. Sipas burimeve të DW, masa kosovare është futur pas një analize dhe dokumentacioni të përgatitur nga stafi i ministrisë që ka argumentuar reciprocitetin, që ka rezultuar me zgjidhje të mosmarrëveshjes. “Përveç pjesës së konsultimeve bilaterale, mekanizmat e tjerë të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve nuk mundësojnë zgjidhje”, thotë Xhikiç. “Deri tash është treguar se mekanizmi i plotë që është tash në dispozicion të palëve të CEFTA … nuk është plotësisht funksional”, ka shtuar ai.

Institucionet kosovare dhe biznesi në Kosovë kanë pasur ankesa të vazhdueshme në lidhje me marrëveshjen CEFTA. Kosova në këtë marrëveshje është e përfaqësuar nga UNMIK-u dhe është i vetmi vend që nuk ka asnjë produkt të mbrojtur strategjik. Ankesat nga Kosova kanë qenë të vazhdueshme, disa janë zgjidhur e disa kanë mbetur të hapura, por gjithmonë në nivelin e parë të ankesës.

“Me sa di unë Kosova nuk ka shfrytëzuar Komitetin e Përbashkët dhe hapat atje për të zgjedhur çështjet. Gjithmonë ka qëndruar në nivelin e parë të zgjedhjes së çështjeve. Palët janë duke i shfrytëzuar konsultimet bilaterale. Gjatë këtyre konsultimeve provohen të zgjidhen çështjet e njërës apo palës tjetër”, ka thënë drejtori. “Mekanizmat, të cilat janë të dispozicion tash janë të vjetruara dhe për këtë palët kanë vendosur që më 2016 që të ndryshojnë mekanizmat e zgjedhjes së mosmarrëveshjeve”, ka shtuar Xhikiq.

Në dhjetor kur pritet të mbahet java e CEFTA pritet të diskutohen edhe mungesat e mekanizmave. Mirëpo zgjidhjet mbeten peng të mosmarrëveshjeve të trekëndëshit Kosovë, Serbi, Bosnjë Hercegovinë. Avancimi i agjendës së CEFTA do varet nga Komiteti i Përbashkët i cili vendimet duhet t’i marrë me konsensus. Mekanizmat e tanishëm nuk funksionojnë mirë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme