Çeriq: Zoti Haradinaj, përjashtojeni Bosnjën nga taksa 100 për qind

Prishtinë | 03 Dhj 2018 | 08:12 | Nga Ekonomia Online

Mustafa Çeriq, ish-kreu i Bashkësisë Islame të Bosnjë-Hercegovinës, i është drejtuar me letër të hapur kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, nëpërmjet së cilës i kërkon atij të përjashtojë Bosnjën nga taksa 100 për qind e vendosur për mallrat që nga ky shtet importohen në Kosovë.

Çeriqi ia sqaron Haradinajt situatën në të cilën gjenden boshnjakët në këtë federatë dhe i kërkon mirëkuptimin meqë, sipas tij, pa fajin e tyre Bosnja nuk e pranon shtetin e pavarur të Republikës së Kosovës, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Pranoni kërkimfaljet e tyre që shteti boshnjak nuk e ka pranuar shtetin e pavarur të Republikës së Kosovës, të cilën e ka njohur bota demokratike dhe e civilizuar. Boshnjakët e mirë turpërohen shkaku i kësaj, por janë të pafuqishëm që ta largojnë turpin e tyre, pasi që janë pengje të politikës serbe, e cila nuk heq dorë nga hegjemonia e saj në Ballkan pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Gjithçka filloi në Kosovë, por gjithçka vazhdon edhe më tutje në Bosnjë dhe rreth saj. Kosova ndërkohë nga krahina është zhvilluar në Republikë, derisa Bosnja prej Republikës po kthehet gjithnjë e më shumë në shtet vasal të dy fqinjëve të vet, prej të cilëve Serbia është gjithnjë e më agresive në robërimin e Bosnjës, si politikisht ashtu edhe ekonomikisht”, ka shkruar Çeriq.

Ai drejton gishtin nga Serbia, e cila, sipas tij, jo vetëm që nuk pranon vendimet e plotfuqishme të gjykatës ndërkombëtare për gjenocidin e kryer prej saj në Bosnjë, por me këtë krim mburret publikisht, duke i glorifikuar kriminelët e luftës si heronj kombëtarë, si shembuj për gjeneratat e reja.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme