Certifikohen 130 të rinj për montim e shitje të mobilieve

Prishtinë | 19 Dhj 2018 | 13:09 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), në bashkëpunim me organizatën Prishtina REA, kanë bërë ndarjen e certifikatave të aftësimit profesional të të rinjve në montim dhe shitje për sektorin e mobilierisë.

Dhënia e këtyre certifikatave është bërë pas aftësimit profesional të të rinjve, realizuar në kuadër të programit “Rritja e punësimit përmes zhvillimit të ndërmarrësisë”. Me anë të këtij programi për sektorin e mobilierisë janë trajnuar më shumë se 130 të rinj nga shumica e komunave të vendit.

Me këtë rast, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, u shpreh i lumtur me realizimin e këtij programi dhe po ashtu shprehu falënderime të veçanta për bizneset që kanë mundësuar punën praktike e për të cilët u ndanë certifikata dhe për përfituesit e projektit.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, progresivisht ka rritur përkrahjen për rininë e në veçanti në këto vitet e fundit. Qëllimi i realizimit të projekteve të tilla është që të rinjtë të aftësohet në mënyrë që të jenë ekonomikisht të përgjegjshëm dhe të pavarur e kësisoj të jenë qytetarë aktivë e po ashtu që të rinjve të vendit tonë tu mundësohet që ta njohin botën e tyre të brendshme dhe mjedisin që i rrethon”, tha Gashi.

“Ne si Ministri jemi një mekanizëm i rëndësishëm që t’i ndihmojmë të rinjtë për tregun e punës, nga ky projekt 12 të rijnë tashmë janë punësuar. Kjo është edhe një arsye shtesë që në vitin 2019  ta kemi fondin edhe më të madh sa i përket aftësimit profesional të të rinjve por edhe përgatitjes së tyre për tregun e punës”, shtoi kreu i MKRS-së.

Ministri Gashi theksoi edhe pjesëmarrjen e gjinisë femërore që në këtë program pjesëmarrja e tyre ka qenë prej 54% duke e cilësuar këtë si lajm jashtëzakonisht të mirë.

Gashi pohoi se 2018-ta ka qenë viti më i mirë për të rinjtë e Kosovës. Sipas tij, pritet që edhe në vitin 2019 të ketë projekte për rininë.

“Ky në fakt ka qenë edhe mbetet një përkushtim i joni që sa më shumë të rinjtë të përgatisim në aftësimin profesional dhe të krijojmë gjeneratë që kur ka konkurse dhe nevoja të jenë të gatshëm të jenë pjesë e atij tregu. Përkundër faktit që në Kosovë ka numër të madh të papunëve unë mendoj që shumë kërkesa për punësim nuk kemi pasur për gjeneratat e reja. Si ministri kemi vënë një prej mekanizmave më të rëndësishëm për t’iu ndihmuar të rinjve në tregun e punës dhe punësim”, tha Gashi, raporton Ekonomia Online.

Ndërsa, Ahmet Jetullahu, drejtor i Prishtina REA tha se me këtë projekt u përpoqën që të sjellin një model të ri të punës dhe për tregun në vend.

Ai shtoi se sektori i përpunimit të drurit është prijës i zhvillimi ekonomik, sipas tij, ky sektorë, na përfaqëson si brend i ri në Evropë dhe më gjerë.

“U përpoqëm të sjellin një model të ri që përveç dëshirës të tregojë një aftësi, zotësi, shkathtësi që mund të hyjë në punë një kompanie meqë mund ti hyjë në punë në këtë rast tek sektori i montimit dhe shitjes së mobileve. Deshëm të sjellim një model të ri mes nivelit arsimorë dhe tregut të punës ku mes këtij segmenti kërkojnë të rinjtë punëkërkues entuziast”, tha Jetullahu.

“Ne u përpoqëm që këtë aftësim profesional ta kthejmë edhe një praktikë të mirë të zgjerohet edhe në sektor të tjerë, ne kemi fatin që sektori i përpunimit të drurit është prijës i zhvillimi ekonomik dhe që na përfaqëson si brend i ri në Evropë dhe më gjerë. Rezultojë që në këtë sfidë tonën të përbashkët ne u ballafaquam me tri dhe me vullnet të mirë dhe me kompani milionëshe që kanë nevojë për këtë lëmi. Këtë ndërlidhje ne e sollën bashkërisht”, pohoi Jetullahu.

Se sektori i përpunimit të drurit është shumë i zhvilluar e thotë edhe rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, Agron Bajraktari.

Ai tha se rëndësi duhet t’i kushtohet bashkëpunimit mes universiteteve dhe bizneseve në Kosovë.

Sipas tij, përmes kësaj studentët e Universitetin të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, kanë arritur të punësohen ende pa i përfunduar studimet.

“Projekti i cili është bërë bashkë me ministrinë dhe me ne është i linjës që ne vazhdimisht bëjmë me ndërmarrjet anë e kënd Kosovës, posaçërisht në Ferizaj, sepse ky qytet përveç industrisë së drurit ka të zhvilluar hotelerinë, metalet, kemi qenë në Universiteti i parë që kemi menaxhimin e metaleve, kjo ka bërë që studentët tanë të punësohen edhe pa mbaruar studimet. Është shumë i mirëseardhur sepse është bërë nga profesionist”, tha Bajraktari.

“Është bërë një bashkëpunim me ndërmarrjet, akademitë, universitetet më parë kanë qëndruar larg bizneseve, por bizneset kanë mundësi të pajisen me pajisje çdo ditë. Ky përafrim kaq i madh ka bërë që ne të jemi të siguritë drejt sukseseve. Sektori i përpunimi të drurit është më i zhvilluari në vend ku përqindja e eksportit rritet nga viti në vit”, tha Bajraktari.

Të ngjashme