Çmimi i naftës në nivel minimal

Prishtinë | 08 Shk 2018 | 15:25 | Nga

Çmimet e naftës po qëndrojnë në rënie edhe në sesionin e sotëm, duke prekur njëkohësisht nivelin më të ulët në 6 javët e fundit. Të dhënat e publikuara treguan se prodhimi i naftës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës preku një nivel të ri rekord, ndërsa furnizimi në Detin e Veriut ka filluar punën me kapacitet të plotë.

Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 65 dollarë për fuçi, niveli më i ulët për vitin 2018, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 61.3 dollarë për fuçi. Që kur arriti nivelin më të lartë në katër vitet e fundit, prej 71 dollarë për fuçi, në fund të janarit, nafta Brent ka humbur rreth 8 për qind të vlerës.

Analistët mendojnë se tregu i naftës do të vijojë të korrektohet në kahun e poshtëm, për shkak të pritshmërive për rritjen e prodhimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe forcimit të dollarit amerikan.

Çmimet e naftës po gjenden nën presion edhe për shkak se tubacioni Forties në detin e Veriut filloi punën me kapacitet të plotë. Ky tubacion, që transporton rreth një të katërtën e naftës të prodhuar në Detin e Veriut, u mbyll përkohësisht në ditën e mërkurë, por u rihap të enjten.

Për sa i përket të dhënave, Administrata për Informimin mbi Energjinë rriti parashikimin për prodhimin e naftës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjatë 2018-së në 10.59 milionë fuçi në ditë, në rritje me 320 mijë fuçi krahasuar me parashikimin e javës së kaluar.

Në anën tjetër, rezervat e naftës bruto në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u rritën me 1.9 milionë fuçi, gjatë javës që u mbyll më 2 shkurt, në totalin e 420.25 milionë fuçive. Ndërkohë, konsumi në Kinë i naftës po rritet, pasi të dhënat treguan se, importet gjatë janarit prekën shifrën e 9.57 milionë fuçive në ditë.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme