Ç’shprehin shifrat optimiste për rritjen ekonomike të Kosovës?

Prishtinë | 11 Nën 2021 | 11:37 | Nga Mehmet Gjata


Duhet thënë troq, se Kosova përkundër këtyre shifrave optimiste, nuk arriti sivjet të rikuperojë as gjysmën e vendeve të punës të humbura për shkak të pandemisë. Përkundrazi, mbetën të papunë një numër jo i vogël personash dhe u detyruan shumë të tjerë të braktisin tërësisht tregun e punës.

Parashikimi i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) se rritja ekonomike në Kosovë gjatë vitit 2021 do të jetë 7.7%, është trimërues, bile duhet thënë se është mjaft optimist dhe shpresëdhënës, sidomos për proceset zhvillimore kosovare. Edhe renditja në vend të dytë e Shqipërisë në rajon sa i përket rritjes ekonomike është përtej parashikimeve më optimiste të dëgjuara gjatë këtij viti. Nuk ka shumë sqarime nga BERZH-i, pse e ka renditur në vend të parë Malin e Zi, madje me 12.3 për qind rritje ekonomike, sikundër nuk saktësohet edhe aq pse ndër katër shtetet e rajonit Maqedonia e Veriut renditet në pozitë të fundit vetëm me 4 për qind rritje ekonomike gjatë këtij viti.

Në fund, BERZH për vendet e Ballkanit Perëndimor parashikon një rritje prej 6.4% për vitin 2021, duke paralajmëruar se “rritja e kostove të energjisë dhe përparimi i ngadaltë i vaksinimit kundër COVID-19 zbeh perspektivat e ardhshme ekonomike”.

Sidoqoftë, në këtë shkrim pretendohet në mënyrë më të gjithanshme dhe më komplekse të analizohen prashikimet tejmase optimiste të BERZH-it, të Bankës Botërore dhe të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për rritjen e sivjetshme ekonomike të Kosovës. Pra, siç dihet, para BERZH-it, edhe Banka Botërore (BB) dhe Banka Qendrore e Kosovës kishin raportuar si parashikime ritme ndjeshëm më të shpejta të rritjes së ekonomisë në vend sesa parashikimet e fillimvitit.

Sipas vlerësimeve të BB-së, Kosova pritet të ketë rritje ekonomike me 7.1 për qind në vitin 2021, dhe kjo rritje ekonomike është rikthyer në territor pozitiv gjatë tremujorit të katërt 2020.

Ekonomia e Kosovës po rimëkëmbet me shpejtësi, por rreziqet për rritjen mbeten të larta, derisa vendi vazhdon të përballet me pandeminë COVID-19. Kështu thuhet në raportin e BB “Konkurrenca dhe rimëkëmbja pas pandemisë COVID-19”, duke shtuar se nga tkurrja e aktivitetit ekonomik prej minus 5.3 për qind në vitin e kaluar, Kosova pritet të ketë rritje ekonomike me 7.1 për qind në vitin 2021.

Ndërsa, parashikimet e BQK-së janë akoma më optimiste, por edhe shifrat akoma më të mëdha. Kupola e sistemit bankar kosovar parasheh rritje ekonomike, madje 9.9 për qind. Këto parashikime, sidomos të BERZH-it dhe të BB-së, të dy këto institucione të besueshme dhe me kredibilitet të padiskutueshëm në qarqet ekonomike e zhvillimore te ne dhe në botë, trimërojnë mjediset ekonomike-zhvillimore kosovare, gjithsesi me të drejtë, sepse vlerësimet e tyre nuk janë çfarëdo dhe nuk bëhen sa për t’u thënë dhe nga njerëz e profesionistë të papërgjegjshëm. Pra, gjithsesi, ato janë parashikime të mbështetura në të dhëna dhe analiza të ekspertëve të këtyre institucioneve presitigjioze ndërkombëtare financiare, duke zbatuar edhe kriteret rigoroze për një shpallje të tillë.

Në raportin e fundit “Perspektiva Ekonomike Rajonale (REP)“, BERZH-i pra, rriti dukshëm projeksionet për rritjen ekonomike të Kosovës në vitin 2021 nga minus 5.3% që ishte në vitin e kaluar, duke vlerësuar se “Ekonomia e Kosovës po rimëkëmbet kryesisht falë një sektori të jashtëm mbështetës. Eksportet e shërbimeve – më shumë se katërfishi i eksporteve të mallrave para pandemisë – u dyfishuan në shtatë muajt e parë. Kjo, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020, kryesisht për shkak të flukseve hyrëse të lidhura me udhëtimet. Eksportet e mallrave gjithashtu u rritën bindshëm”.

Po ashtu, sipas BERZH-it, rritja e remitencave dhe zgjerimi i marrjes së kredive është një nga faktorët e rritjes ekonomike të Kosovës. Konsumi i familjeve po mbështetet nga një fluks në rritje i remitancave dhe nga zgjerimi i kredisë. BERZH në këtë raport, shprehet se rritja e konsumit me ardhjen e mërgatës ka kontribuar në rritjen ekonomike të Kosovës për vitin 2021.

“Aktiviteti ekonomik në vitin 2021 pritet të zgjerohet me 7.1 për qind kundrejt një rikthimi të mërgatës, masave mbështetëse fiskale dhe rritja e huadhënies. Modeli i rritjes së Kosovës është kryesisht i bazuar në konsum, me një mbështetje të konsiderueshme nga mërgata”, thuhet raport. Po, edhe më shumë optimiste për rritjen ekonomike deklarohet BQK-ja dhe kreu i saj.

“Projeksionet e BQK-së tregojnë se aktiviteti ekonomik do të rikuperohet me një ritëm mjaft të shpejtë të rritjes prej 9.9% për vitin 2021. Vetëm në gjysmën e parë të vitit 2021 është shënuar një aktivitet i shtuar ekonomik prej 10.5%”, kishte thënë guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Sipas tij, “ ekonomia e Kosovës gjatë vitit 2020 ka shënuar rënie prej 5.3%. Efekti i rënies së ekonomisë është manifestuar përmes sektorit të jashtëm. Ndalimi i udhëtimit ka bërë që të bie në mënyrë drastike numri i mërgimtarëve dhe rënia e eksportit të shërbimeve të udhëtimit, që në vitin 2020 zbriti në mbi 628 milionë euro, krahasuar me vlerën prej 1.3 miliard euro që ishte një vit më parë”.

Në vitin 2022, sipas BB-së, ”rritja rajonale parashikohet të ngadalësohet në 3.4 për qind, si rezultat i stabilizimit të kërkesës së jashtme dhe asaj të brendshme si dhe ndërprerjes së stimujve të dhënë për shkak të pandemisë”.

“Rimëkëmbja rajonale është shoqëruar me një përshpejtim të rritjes së inflacionit. Rajoni mbetet i ekspozuar ndaj stresit financiar, i cili mund të nxitet nga një shtrëngim i papritur i kushteve të financimit të jashtëm ose nga një rritje e menjëhershme e pasigurisë së politikave dhe tensioneve gjeopolitike”.

Edhe ministri Hekuran Murati, në një konferencë shtypi, të mbajtur muajin e kaluar ka renditur të dhëna për rritjen ekonomike në vend. Me këtë rast, Murati duke u mbështetur në të dhënat e ATK-së, ka potencuar se aktiviteti ekonomik ka shënuar rritje rekorde prej 16.28% në periudhën e tremujorit të dytë të vitit 2021, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak. Në anën tjetër, nëse krahasohet gjysma e parë e vitit 2021 me atë të vitit 2020, përkatësisht periudha janar-qershor, ekonomia vendore ka shënuar rritje prej 10.4%. Duke konsideruar që baza krahasuese e rritjes ekonomike me vitin 2020 mund të jetë më e ulët, si rezultat i masave kufizuese të ekonomisë nga pandemia COVID-19, shifrat që janë shënuar në këtë tremujor janë gjithashtu ndjeshëm më të larta edhe me ato të viteve paraprake. Me fjalë të tjera, aktiviteti ekonomik i këtij tremujori prej 1,916 miliard euro në terma real, paraqet rritje më të lartë se çdo tremujor tjetër i vitit të kaluar. Kjo rritje gjithashtu mbështetet edhe nga shifrat e ofruara nga Administrata Tatimore e Kosovës dhe Doganës së Kosovës.

Më saktësisht, ATK raporton se tremujori i dytë i vitit 2021 krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ka rritje të qarkullimit të bizneseve prej 49.5%, kurse 20% rritje krahasuar me vitin 2019. Megjithatë, në gjithë këto parashikime kaq optimiste, dhe në raportet nëpërmjet të cilave shpërfaqen këto shifra optimiste dhe goxha imponuese, potencohet me leksik të drejtpërdrejtë, apo edhe tërthorazi se ekonomia e Kosovës vazhdon të jetë e varur nga paratë që diaspora dërgon në Kosovë.

Paratë e dërguara dhe ardhja e tyre për pushime në Kosovë, po përmenden si një ndër faktorët kryesorë për parshikimet kaq optimiste të rritjes së ekonomisë në vendin tonë. Në raportin e BB-së “Konkurrenca dhe rimëkëmbja pas pandemisë COVID-19”, thuhet saktësisht se “aktiviteti ekonomik në vitin 2021 pritet të zgjerohet me 7.1 për qind kundrejt një rikthimi të mërgatës, masave mbështetëse fiskale dhe rritja e huadhënies. Rritja parashikohet të mbetet mbi 4 për qind në periudhën afatmesme.

Në planin afatmesëm, Kosova duhet të kalojë në një model rritjeje më të orientuar drejt produktivitetit”. Dhe s’ka si të jetë ndryshe. Shifrat optimiste të rritjes ekonomike janë të bazuara, në radhë të parë te paraja e ardhur nga mërgata jonë e përmalluar për ta vizituar vendlindjen, të cilët si pasojë e masave anti-pandemi ia mësynë Kosovës me të gjitha mjetet e mundshme të udhëtimit dhe me numër rekord të tyre sollën paranë e shumtë, rritën konsumin dhe natyrisht qarkullimin e parasë në vendin e tyre. Në këtë mënyrë, u zgjat së larti edhe rritja ekonomike dhe u shtuan pritshmëritë deri në shifrat e akceptuara nga institucionet monetare ndërkombëtare dhe BQK-ja.

Shifrat e parashikimit për rritjen e sivjetshme ekonomike, fundja nuk është se patën ku të mbështeten edhe aq në objektiva të tjerë. Sepse, dihet, Kosova, për shkaqe të shumë dështimeve në këto 20 e sa vjet pas luftës në avancimin e zhvillimeve ekonomike, akoma nuk ka ndonjë industri për të rrahur gjoks.

Ferronikeli dhe KEK-u dhe pak sektorë minorë që bëjnë substancën e industrisë kosovare, më shumë kërkuan para nga Kosova e varfër se sa e ndihmuan zhvillimin e saj. Pra, pa industri pak më imponuese dhe pa sektor produktiv e konkurrent të produkteve botërore e rajonale ende nuk mund të pritet tjetër rritje ekonomike pos asaj që kryekëput bazohet në prurjet e mërgatës, solidariteti i së cilës po shihet se nuk ka munguar sivjet, jo se jo. Nuk do të ishin pak 750 milionë euro që solli mërgata jonë deri në shtator edhe për ndonjë shtet shumë më të madh dhe më të fuqishëm se Kosova e varfër dhe e reduktuar numerikisht.

Prandaj, si rrjedhojë, kemi këto shifra të parashikimit për rritje ekonomike që vlerësohen të guximshme, trimëruese dhe shpresëdhënëse, të cilat dorën në zemër realisht nuk flasin për ndonjë rritje që duhet të ngjallte tani ekzaltim gjithndej vendit. Sepse, në këto parashikime sikur shihet, pra mungojnë të dhënat konkrete që sjellin rritje të vërtetë, atë realen e ekonomisë siç është rritja e numrit të të punësuarëve, rritja e rikthimit të tyre në vendet e humbura të punës si pasojë e pandemisë, rritja reale e eksportit dhe jo krahasimi i sivjetshëm i tij me atë të vitit të kaluar, kur për shkak të COVID 19 praktikisht, thuaja nuk pati eksport, ose ai ishte fare simbolik, sikundër që nuk pati investime as të jashtme as të brendshme për t’u përmendur (pos ndonjë kapaciteti të ndërtuar nga donacionet, siç ishte impianti i pastrimit të ujërave të zeza në Prizren, i ndërtuar nga investimet gjermane) dhe pos disa punëve rreth ndërtimit të ndonjë rruge fshati apo lagjeje dhe ndonjë pune minore në autostradat e lëna në gjysmë të rrugës qe sa vite.

Duhet thënë troq, se Kosova përkundër këtyre shifrave optimiste, nuk arriti sivjet të rikuperojë as gjysmën e vendeve të punës të humbura për shkak të pandemisë. Përkundrazi, mbetën të papunë një numër jo i vogël personash dhe u detyruan shumë të tjerë të braktisin tërësisht tregun e punës.

Sido që të jetë, shifrat parashikuese janë shpresëdhënëse dhe na bëjnë optimistë se po lëvizet në kah të mëkëmbjes dhe rimkëmbjes, por të ekzaltuar do të ishim, gjithsesi, po të krijohej një bazë reale zhvillimore e mbështetur nga kosovarët brenda dhe jashtë vendit, të krijoheshin më shpejt vende të reja pune, të nisë më shpejtë dhe më guximshëm të investohet në energjinë e rinovueshme dhe fare në fund të nisë së ndërtuari një model rritjeje ekonomike, siç thotë BB, më e orientuar drejt produktivitetit. Dhe të bëhen sa më pak krahasime zhvillimore me vitin 2020, që ishte vit zero i zhvillimeve ekonomike, jo vetëm në Kosovë. (Mehmet Gjata/ Buletini Ekonomik)

Të ngjashme