D+: Në Ligjin për Shërbime ka pasur paqartësi, duhet të jetë e qartë se flitet për shërbime afariste

Prishtinë | 29 Maj 2019 | 11:26 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal ka mbajtur dëgjim publik për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Shërbime, raporton Ekonomia Online.

Jetmir Bakija përfaqësues i D+ tha se nga hulumtimi që kanë bërë kanë nxjerrë tri obligime nga ky ligj, atë të identifikimit të shërbimeve që ofrohen me këtë ligj, krijimi i një pike të vetme të kontaktit dhe ofrimi i shërbimeve online.

“Duhet ta sqarojmë sepse në vizitat që kemi pasë ka pasë ngatërresë se për çfarë shërbime po flasim. Flitet për shërbimet afariste dhe ka për qëllim të lehtësojë shërbimet për ofruesit dhe përfituesit. Në hulumtim që e kemi bë në shkurt nxjerrim obligimet kryesore që dalin prej këtij ligji, bartëse që është MTI-ja.  Janë identifikimi i shërbimeve që rregullohen me këtë ligj, në grafikë thuhet se 223 shërbime ekonomike rregullohen me këtë ligj ndërsa janë 42 shërbime që nuk rregullohen me këtë ligj. E dyta është themelimi i një pike të vetme kontakti që i ofron të gjitha licencat për përdoruesit vendor, por edhe të jashtëm dhe nën tre ofrimi i shërbimeve online”, tha Bakija, raporton EO.

Rexhep Bllaca, drejtor i departamentit ligjor në MTI, ka treguar se në vitin 2018 është miratuar udhëzimi administrativ për themelimin e pikës së vetme të kontaktit.

Ai  tha se kanë hartuar tri faza në pikën e kontaktit.

“Gjatë 2018-tes është miratuar udhëzimi administrativ për themelimin e pikës së vetme të kontaktit dhe jemi duke hartuar planin e kësaj pike. Pika e vetme e kontaktit ka për qëllim që përmes një portali të ofroj informata. Ne mendojmë këtë ta realizojmë në tri faza: e para mendojmë me i paraqitë vetëm ligjet, udhëzimet. Faza e dytë është që mendojmë me i paraqitë edhe formularët në rastin e marrjes së ndonjë licence. Prej këtij viti kemi filluar me regjistrimin e bizneseve online dhe ka hy në fuqi udhëzimi për numrin unik identifikues. Kështu që bizneset nuk kanë nevojë të marrin dy apo tre numra, por të identifikohen me një numër identifikues. Faza e tretë është kur të gjitha shërbimet ofrohen online, kur nuk ka kurrfarë kontakti fizik, por të gjitha ofrohen online”, ka thënë ai.

“…Në 2016 kemi filluar me këtë ligj dhe ky ligj është në direktivën e BE-së. Gjatë hartimit kemi marrë shembull ligjin e Shqipërisë. Me miratimin e këtij ligji kemi marrë veprime për zbatimin e tij. Gjatë hartimi kemi identifikuar 223 shërbime që mbulohen me këtë ligj, por kjo nuk është përfundimtare sepse mund të ketë shërbime të reja, por edhe mund të shuhen shërbime”.

Burim Balaj nga ministria e Administratës Publike ka thënë se pika e vetme e kontaktit duhet të jetë pjesë e portalit online.

“Sa i përket pikës së vetme të kontakti jemi në dy fusha në aspektin e ofrimit të portalit E-Kosova kur për tri vitet e ardhshme do ketë vlerë tre milionë e gjysmë. Kemi diskutuar për mundësinë që t’i përfshijmë që të mos kemi mundësi duplifikim ashtu që pika e vetme e kontaktit të përfshihet në kuadër të E portalit”, tha ai.

Të ngjashme