Debatohet për të ardhmen e thëngjillit në Kosovë – “Kemi shumë qymyr, por dhe e duam Evropën. Si t’ia bëjmë?”

Prishtinë | 30 Mar 2022 | 14:57 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Instituti Riinvest dhe Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) kanë organizuar debatin me temën “E ardhmja e thëngjillit në Kosovë”, në kuadër të serisë së diskutimeve lidhur me çështjet vitale që ndërlidhen me Agjendën e Gjelbër, si një prioritet në rrugën drejt integrimit në BE.

Alban Hashani, drejtor Ekzekutiv në Institutit Riinvest, në fjalën hyrëse tha se është i lumtur me interesimin e madh për të marrë pjesë në debatin e parë të “Green Action Space”, një platformë që ka për qëllim të iniciojë diskutime në rrafshin profesional dhe akademik, por edhe institucional, për të nxitur politika adekuate zhvillimore në interesin më të mirë publik.

“Kjo iniciativë ka për qëllim fuqizimin e kapaciteteve në përpjekjet për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm. Diskutimet e deritanishme, veçanërisht në sektor të ndjeshëm si për energjinë e mjedisin, kanë qenë të kufizuara dhe nuk janë paraprirë me një strategji”, tha Hashani, raporton Ekonomia Online.

“Kemi rreth 30 pjesëmarrës që vijnë nga fushe të ndryshme, ekspertë të fushës nga sektori i energjisë, institucioneve dhe qarqeve akademike, aktivistë të shoqërisë civile dhe përfaqësues të medieve”.

“Konsiderojnë se themelimi i kësaj platforme vjen në kohën e duhur, duke e pasur parasysh dinamikën në këta sektorë. Jemi të bindur në suksesin e kësaj platformë”, theksoi Hashani.

Luan Shllaku, drejtor Ekzekutiv i KFOS, në rolin e moderatorit të debatit, ka marrë mendimet e panelistëve dhe pjesëmarrësve të tjera rreth temës.

“Si t’ia bëjmë me thëngjillin? Të mendojmë si do t’ia bënim nëse do të ishin në komisionin që është duke e përfunduar Strategjinë e Energjisë?”

Sipas tij, në audiencë dominonte mendimi që përputhet shumë me Agjendën e Gjelbër, apo me “agjendën evropiane” sepse shumica e përgjigjeve ishin se duhet të përqendrohemi nga energjia alternative, dhe jo ajo me thëngjill.

“Kemi aq shumë qymyr, kemi 14 miliardë tonë qymyr, ndërkohë e kemi një Kosovë e cila është e stërbanuar”, u shpreh Shllaku.

“Fakt është qe ne duam të jemi pjesë e Evropës, e Evropa na thotë: ‘Ndaluni pak, duhet të luani sipas rregullave tona’. Marrëveshja e Gjelbër Evropiane thotë se deri në vitin 2035, resurset ku bën pjesë dhe thëngjilli duhet të ndalen… Është shumë e ashpër me këtë”.

“Ne kemi shumë qymyr, por në anën tjetër e duam shumë Evropën. Si t’ia bëjmë?”, ka pyetur drejtori i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS).

Sipas tij, investimi në kapacitet për prodhimin e energjisë elektrike me qymyr mund të jetë investimi më i shtrenjtë për një kilovat orë, më i shtrenjtë sesa një kilovat i prodhuar në mënyre alternative.

Gëzim Tërnava, drejtor i Inxhinieringut të Mihjeve në KEK, tha se pikërisht sivjet bëhen 100 vjet që kur ka nisur shfrytëzimi i qymyrit nga baseni i Kosovës.

“Për 100 vitet e kaluara kemi shfrytëzuar diku 419 milionë tonë qymyr”.

“Aktualisht ne operojmë me minierën e qymyrit, jemi i vetmi operator në Kosovë për shfrytëzimin e resurseve të qymyrit, për qëllime industriale, jo vetëm për djegie. Operojmë me kapacitet të përafërt prej 8,5 milionë deri në 9 milionë tonë qymyr në vit, që i plotësojnë nevojat e gjenerimit të masën 98% ndërsa 2% është qymyr që i dedikohet tregut”.

“Aktualisht eksportojmë qymyr në masë shumë të vogël, rreth 200 mijë ton qymyr, kryesisht në Maqedoninë e Veriut”, tregoi ai.

Në lidhje me temën e debatit, se çka duhet të bëhet në të ardhmen me thëngjillin në Kosovë, Tërnava tha se kjo do të qartësohet me strategjinë që pritet të miratohen shumë shpejt nga Qeveria e Kosovës.

“Ne si KEK do të operojmë konform asaj strategjie që do ta na vijë e miratuar nga Qeveria. Nuk besoj se kemi mundësi ta përfundojmë shpejt atë tranzicionin energjetik që po e diskutojmë. Kosova nuk ka kapacitet ta bëjë shpejt këtë tranzicion”, u shpreh drejtori i Inxhinieringut të Mihjeve në KEK.

Ai saktësoi se Strategjia Energjetike dhe Strategjia për përdorimin e qymyrit janë dokumente të ndara. “Ajo e energjisë do të jetë e gatshme shumë shpejt. Unë nisem nga një parim: të gjitha energjitë e tjera klasifikohen në ato alternative. A duhet të mbështetemi në alternativë apo duhet ta kemi baziken”.

“Shfrytëzimi i qymyrit, përpos për energjinë elektrike është i domosdoshëm dhe në industri të tjera”, theksoi Tërnava.

Duke e përforcuar qëndrimin e tij se thëngjilli – si një pasuri e Kosovës duhet të vazhdojë të shfrytëzohet – jo vetëm për djegie, Tërnava tha se në BE janë mbi 200 produkte të licencuara me bazë qymyri.

Ai gjithashtu tha se nuk pajtohet se kostoja e prodhimit të energjisë nga qymyri do të jetë më e lartë, “pa një analizë të detajuar”.

Gazmend Begolli, këshilltar i kryeshefit Ekzekutiv të KEK-ut, tha se Kosova prodhon rrymë nga thëngjilli, pasi kjo është më e lira.

“Qymyrin ne për me prodhu energji elektrike e shfrytëzojmë vetëm pse nuk kemi kilovat orë më të lirë. Kurrkush nuk don me djeg qymyr”.

“Para 40 vitesh, politikanët kanë qenë më pak të shkolluar, por i kanë pyetur ekspertët. Ymer Pula para 40 vitesh ka thënë se duhet të elektrifikohen hekurudhat e Kosovës”, u shpreh ai.

Rrezarta Pushkolli, nga “Women in Energy & Mining” tha se vetë tema tregon që e ardhmja e Kosovës do të vazhdojë të jetë thëngjilli.

“Duhet të mendojmë për alternativa të burimeve të shfrytëzimit të energjisë, por ne si Kosovë i kemi kapacitetet e mundësitë që ta shfrytëzojmë thëngjillin”.

“Me ndërtimin e termo-elektranës së re nuk do të thotë që do ta shkatërrojmë ambientin, sepse zhvillimi mundëson që të përdoren teknologji të avancuara”, deklaroi Pushkolli.

Të ngjashme