Deklarohen nga “Migros”, pasi inspektorët ua mbyllen deponë

Prishtinë | 11 Mar 2022 | 18:32 | Nga Ekonomia Online

Një depo e “Migros Group” u mbyll mbrëmë pas një aksioni të zhvilluar nga Inspektorati i Tregut, kjo erdhi pas abuzimeve me çmime të vajit – ku gjatë ditës së djeshme një litër vaj kushtoi 3 euro e 49 cent.

Drejtor i Financave në “Migros Group”, Naim Ukaj, deklaron se gjatë ditës së djeshme kanë pasur dy importe prej 55 mijë litra vaj dhe për gjithë këtë ishin në rregull me dokumentacionin.

Ukaj, në “Info Magazine”, thotë se tek të gjithë furnizuesit e tyre një litër vaj e shitën 1 euro e 85 cent dhe se nuk mund të përcaktojnë se me çfarë çmimi e shesin ata pastaj tek konsumatorët, njofton Klankosova.tv.

“Dje pa asnjë sqarim na u mbyll përkohësisht kjo depo dhe me të njëjtin vendim që u mor mbrëmë sot kemi vazhduar punën normalisht. Mbrëmë inspektorit i kemi prezantuar dokumentet hyrëse, vaji ka ardhur dje dhe menjëherë kemi fillu shpërndarjen e mallit. Dje kemi pasur dy importe prej 55 mijë litrash dhe të gjitha këto dokumente ia kemi tregu inspektorëve”.

“Dje as ne nuk kemi pasur vaj dhe dje ka ardhur vaji në çmimin që e kemi shit ne në krejt Kosovën është çmim transparent dhe është shitur me 1 euro e 85 cent. Nuk ka pasur prej nesh asnjë çmim me rritje pos marzhës së fitimit. Edhe në rrjetin e marketeve tona (Viva Fresh Store) është shitur me të njëjtin çmim”.

“Ne japim përgjegjësi për shitjen tonë, por, ne nuk mund t’i orientojmë furnizuesit tonë se më çfarë çmimi të shesin vajin. Edhe neve na ka ardhur çmimi me ngritje për këtë është shit nga ne me 1,85. Ka kohë që çmimet e vajit janë ngritur, por, tek ne është shitur me këtë çmim”.

“Ne jemi distributor për vajin e për këtë mbase kemi qenë cak por gjithçka ka qenë në transparente dhe depoja na u mbyll pa asnjë arsyetim”, tha Ukaj.

Të ngjashme