Delegacioni i Austrisë dhe i bizneseve austriake vizitojnë fabrikën Comodita

Prishtinë | 21 Pri 2022 | 11:44 | Nga Ekonomia Online

Një delegacion i shtetit Austriak dhe i bizneseve Austriake në kuadër të Forumit Ekonomik Kosovë-Austri, të organizuar nga Oda Ekonomike Federale e Austrisë, Ambasada e Austrisë, Ministria e Ekonomisë dhe Digjitalizimit të Austrisë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, vizituan gjatë ditës së djeshme fabrikën e dyshekëve dhe të shpuzës Comodita në Gjakovë  

Delegacioni vizituan ambientet punuese, administratën si dhe patën rastin të shohin dokumentarin e korporatës që tregon historinë e suksesshme të Comodita, nga fillimet e punës, organizimin, rritjen e punësimit, nivelin e lartë të kapacitetit prodhues dhe sukseset e fabrikës të ndër vite.

Mysafirët, u impresionuan me atë që panë, duke u pajtuar se Comodita është vlerë për shtetin e Kosovës, me një organizim të lartë brenda fabrikës, cilësi dhe sukses në fushën e eksportit.

“Më duhet të them qe kjo ështe vizita ime e dytë tek Comodita dhe kur ishim këtu gjatë muajit shkurt patëm një takim shumë të mirë me menaxhmentin të cilat u treguan shumë bujarë dhe ofruan që kur të vimë me delegacionin Austriak të përbërë prej 15-20 kompanive, të na mirëpresin dhe të na tregojmë përreth, andaj edhe e kam përfshirë këtë vizitë në kuadër të programit që do të ketë delegacioni në Kosovë. Më pëlqen koncepti i prodhimit privat dhe mund të them se janë mjaft të sukseshëm. Nëse flasim për nga vlera, atëherë është 1/4, apo 25% e eksportit të Kosovës dhe ky është me të vërtetë një biznes thelbësor dhe vetëm një kompani e madhe mund të ofrojë një biznes të tillë.” – tha Wilhelm Nest, përfaqësues i Odës Ekonomike Federale të Austrisë, pranë Ambasadës së Austrisë.

Ndërsa Drejtoresha operative e Comodita, Granita Bunari theksoj: ”Sot në ambientet tona kishim për vizitë një delegacion prej rreth 30 personave me profile të ndryshme nga shteti Austriak, të cilët panë punën dhe veprimtarinë e Comodites. Ne jemi të hapur për vizita të ndryshme nga delegacione europiane dhe botërore, dhe shumë të lumtur që ata shprehen të impresionuar në fund të vizites, duke qenë se Kosova është një vend i vogël dhe pritjet e tyre nuk janë aq të mëdha për të parë dicka të këtij niveli dhe këtyre përmasave.”

Vlen të theksohet që Comodita është eksportuesi më i madh kosovar në tregjet e Evropës dhe Amerikës dhe një nga storiet më të suksesshme që ngrisin nivelin ekonomik të mbarë vendit në ditët e sotme.

Të ngjashme