Delegacioni i bizneseve amerikane vizitojnë ministrin Lluka

Prishtinë | 11 Mar 2019 | 13:03 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, priti sot delegacionin e bizneseve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të kryesuar nga konsullja e Kosovës në ShBA, Teuta Sahatqija, me të cilët diskutoi rreth sektorit të teknologjisë informative dhe komunikimit (TIK), sektorit të energjisë dhe klimës të të bërit biznes në Kosovë.

Delegacioni i kryesuar nga Sahatqija, Ani Zeldan, kryeshef ekzekutiv i Quantum Media Group, themeluesja e Partners in Digital Health, Tory Cenaj, avokati Nelson Happy dhe gazetari nga The Washington Diplomat, Larry Luxner, u interesuan rreth klimës së të bërit biznes në Kosovë dhe rreth projekteve në sektorin e TIK dhe atë të energjisë.

Lluka i informoi se Kosova ka një sistem fiskal shumë të favorshëm për biznese, është një qendër lidhëse në Evropë dhe se Banka Botërore e ka cilësuar si vendin e dytë në rajon në raportin e të bërit biznes.

“Kosova ka një sistem fiskal shumë të favorshëm për biznese, është vendi me borxhin më të vogël publik përshtatur GDP-së, është urë lidhëse me vendet e Evropës dhe ka qasje në tri porte detare, atë të Selanikut, Durrësit dhe të Malit të Zi. Në raportin e të bërit biznes Kosova radhitet e 40-ta në botë dhe e dyta në rajon”, u shpreh Lluka.

Sektori i TIK është i vetmi sektor në Kosovë i cili ka bilanc tregtar pozitiv dhe është sektor i cili u ka mundësuar të rinjve të vendit të punojnë për vendet e Bashkimit Evropian dhe më gjerë, është sektor në të cilin ka projekte të ndryshme dhe nga i cili gjenerojnë vende pune.

“Sektori i teknologjisë informative është sektor i cili ka bilanc tregtar pozitiv dhe është sektor në të cilin kompanitë vendase kryejnë shërbime ‘outsource’ për kompanitë në Evropë, S.B.A. dhe më gjerë dhe është sektor në të cilin truri nuk ikën nga vendi. Projekti Kosovo Digital Economy (KODE), në të cilin projekt me ndihmën e Bankës Botërore do të investohen 25 milionë euro për shtrirjen e infrastrukturës së rrjetit të internetit në 96% të territorit të Kosovës me synim të veçantë në zonat rurale”, tha Lluka.

Kreu i MZHE-së delegacionin e bizneseve nga ShBA e informoi rreth “Tech Park Prishtina” dhe “Training and Innovation Park” në Prizren ku parashihet që të krijohen qendra për trajnime dhe qendra të ekselencës digjitale në të cilën do të trajnohen bizneset dhe të rinjtë e vendit.

Përfaqësuesit e delegacionit gjithashtu u interesuan rreth sektorit të energjisë, zhvillimeve dhe projekteve të cilat janë duke u zhvilluar.

Lluka iu shpreh se Kosova e ka synim  përmirësimin e gjendjes së furnizimit me energji elektrike, dhe këtë e dëshmon fakti i nënshkrimit të marrëveshjes me kompaninë “Countur Global” për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, si dhe rreth mënyrave të gjenerimit të energjisë nga mbeturinat.

Në fund, përfaqësuesit e bizneseve nga ShBA falënderuan Llukën për informacionet e dhëna dhe thanë se do të mbeten në kontakt në mënyrë që të informohen më detajisht rreth sektorëve që mbulon Ministria e Zhvillimit Ekonomik ashtu që të shihen hapësirat për investime në të ardhmen.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme