Demiri: Hapja e vendeve të reja të punës, prioritet i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal

Prishtinë | 14 Shk 2018 | 16:26 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal ka mbajtur mbledhjen e radhës ku ka raportuar, ministri i Zhvillimit Rajonal, Rasim Demiri, lidhur me prioritetet e ministrisë; si dhe shqyrtimin e Raportit me Rekomandime për Projektligjin për Shoqëritë Tregtare.

Ministri Demiri, ka raportuar para komisionit duke thënë se prioritet i kësaj ministrie janë hapja e vendeve të reja të punës dhe balancimi i regjioneve sa i përket ndarjes së të mirave materiale.

“Prioritetet e kësaj ministrie janë: Që të krijojmë kushte për vende të reja pune duke pas parasysh që si shtet jemi në krizë ekonomike dhe përmes angazhimeve tona do të krijojmë vende të reja pune, prioritet tjetër i kësaj ministrie është që të bëjmë balancimin e të gjitha regjioneve duke pas parsyshë që i kemi 5 regjione dhe do të vendosim balancë në ato komuna apo regjione”, tha ministri Demiri.

Sipas tij, buxheti është ndarë në dy pjesë: 1 milionë euro do të jenë për investime kapitale, për projekte infrastrukturore dhe pjesa tjetër e buxhetit do të jetë për shpërndarjen e granteve.

Kryetarja e Komisionit, Sala Berisha-Shala, ka thënë se problemi qëndron në ligjin e menaxhimit të financave publike dhe se ky ligj duhet që të ndryshohet.

“Ne do të bëjmë një balancim të zhvillimit rajonal, është mirë të bëhet një balanc në kuptimin e zhvillimit rajonal por edhe të komunave por mendoj që kjo ide do të qojë deri te ajo që të ndryshojë ligjin për menaxhimin e financave publike sepse ndarja e buxhetit bëhet bazuar në kritere unike. Kjo është ndarje e padrejtë sepse nuk i jep mundësi me u zhvillu në mënyrë të balancuar bazuar ne ndarjen”, tha kryetarja Berisha-Shala.

Kurse Dardan Molliqaj, anëtar i komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se ndarja e granteve duhet të bëhet duke vlerësuar se çka është e favorshme për një rajon të caktuar.

“Ndarja e granteve duhet të bëhet se çka është e favorshme apo çka ka më shumë mundësi në një rajon të caktuar me u zhvillu në këtë mënyrë me u orientu që njerëzit që aplikojnë me apliku për qato fusha, jo kush e ka idenë më të mirë se mundesh me pas ide shumë të mirë në letër e cila nuk përkthehet në zhvillim ekonomik apo në hapje të vendeve të reja të punës ose çkado në atë rajon”, tha Molliqaj.

Të ngjashme