Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit: Kemi pranuar 70 ankesa kundër IPKO-s

Prishtinë | 06 Maj 2022 | 09:56 | Nga Ekonomia Online

Dhjetëra ankesa kanë deponuar qytetarët në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorëve kundër kompanisë IPKO, pas heqjes së disa kanaleve nga kjo platformë.

Konusmatorët e kësaj kompanie private, që operon në Kosovë tash e sa vite, janë ankuar se këto ndryshime janë bërë pa paralajmërime paraprake, dhe se mundësia e shkëputjes së kontratës para kohe pas modifikimeve të tilla, nuk po iu ofrohet.

Nga Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit, i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), kanë treguar për Buletinin Ekonomik se përgjatë ditëve të fundit, në këtë departament ka arritur një fluks i madh me ankesa pikërisht kundrejt operatorit ekonomik “IPKO”, duke theksuar se ky fluks i tanishëm është i dyti me radhë ndaj kësaj kompanie.

Vetëm përgjatë këtyre ditëve të fundit, deri më sot, kundër operatorit “IPKO”, nga DMK-ja njoftojnë se janë pranuar rreth 70 ankesa, të cilat, siç thonë ata janë në rritje e sipër në baza ditore.

Ankesat në fjalë, sipas tyre, kanë të bëjnë kryesisht me pretendimet e konsumatorëve mbi shkeljen e kontratave në lidhje me programet televizive, veçmas karshi reklamacionit dhe/apo respektivisht kontratave për kanalet televizive (“ndryshimi i skemave programore karshi kanaleve televizive”).

Nijazi Shala, zëdhënës nga Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit, ka treguar se këto ankesa tashmë janë duke u trajtuar nga Inspektorati i Tregut përmes Departamentit për Mbrojtjen e Konsumtorit, i cili gjithashtu operon në kuadër të MINT-it.

Sipas njoftimit të MINT-it, Inspektorati i Tregut do t’i verifikojë ankesat dhe kudo që vërtetohet se ka shkelje ligjore, do të merren masa bazuar në ligjet e Kosovës.

Në këtë rast, sipas informimit të DMK-së, nga Inspektorati i Tregut parashihet që të bëhet sërish padi kolektive ndaj IPKO-s (siç kishte ndodhur më herët), për shkak të ankesave të shumta që janë bërë nga konsumatorët.

Shala ka theksuar se fluksi i parë kundrejt operatorit IPKO, është zhvilluar vitin e kaluar, konkretisht përgjatë tremujorit të fundit të vitit 2021, dhe se “fenomeni i ankesave ndaj këtij operatori kabllor tashmë nuk paraqet diçka të re”.

Sipas këtij departamenti, vetëm nga fundi i vitit të kaluar, Inspektorati i Tregut – MINT, ka dorëzuar rreth 200 ankesa, në cilësinë e padisë kolektive, pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë.

“Se deri ku arritur procesi, ne si Departament aktualisht nuk kemi ndonjë njohuri sepse nuk kemi pranuar përgjigje/raport zyrtar. Është mirë ndoshta të adresohet çështja edhe në Inspektoratin e Tregut dhe respektivisht në Gjykatë, rreth asaj se deri ku ka arritur procedura”, thuhet në përgjigjet nga DMK.

Ndërkaq, në adresimin e Buletinit Ekonomik se a përbën shkelje ligjore një ndryshim i tillë në kontratat e parapaguara, nga DMK-ja thonë se këto ankesa kanë të bëjnë veçmas me shkeljen e kontratave, dhe ata si DMK, kanë konsideruar se fenomeni duhet të shqyrtohet (pra, ka bazë ligjore) nga autoritet kompetente të Inspektoratit të Tregut.

Në anën tjetër, nga kompania IPKO kanë theksuar për Buletinin Ekonomik se të gjithë klientët e saj janë njoftuar për këto ndryshime sipas ligjeve të aplikueshme në Kosovë, dhe se “çdo kërkesë e pranuar nga ana e klientëve, trajtohet në bazë të të njëjtave ligje dhe rregullore në fuqi”.

“IPKO vazhdon të pasurojë përmbajtjen e saj televizive duke iu përgjigjur kërkesave të shumta të përdoruesve për përmbajtje të caktuar.  Lista e kanaleve të IPKO është e pasuruar me ligat sportive, të gjitha kanalet vendore, si dhe kanale me dokumentarë, filma e programe për fëmijë”, thuhet tutje në përgjigjet e IPKO-s për Buletinin Ekonomik.

Ankesë publike ndaj këtij operatori tashmë ka ushtruar edhe Agron Demi nga Instituti Gap, i cili ditë më parë u ankua se IPKO nuk është duke i respektuar kontratat me klientët.

Ai në një postim publik në facebook, kiiishte shkruar se IPKO ka ndërprerë kanalet sportive që shfaqnin Premier Ligën, nj muaj para se të përfundonte kampionati në fjalë, ndonëse këtë kontratë e kishte lidhur pikërisht shkaku i kësaj lige.

“Kontratën afër 300 euro që e kam mbajtë me zor deri të përfundoj Premier League, shkojnë ta ndërprejnë katër javë para se me përfundu kampionati, edhe ta mbushin listën me kanale në gjuhën turke e serbe”, ka shkruar Demi.

Gjithashtu, ai ka rikujtuar se kur një biznes merr licencë për operim, duhet t’i përmbahet kritereve ligjore që janë në fuqi.

“Ma e keqja, që është kriju monopol dhe marrëveshje të fshehta, që nuk të kanë lënë hapësirë as me ndërru operatorin”, vazhdon tutje Demi.

Ndërkohë sot, ai sërish ka shkruar se prej ditës së djeshme kur ai vet ka parashtruar kërkesë në DMK, tani numri i ankesave aty është rritur për 35, ndonëse thekson se problem vazhdon të mbetet mos kthimi i përgjigjeve ndaj ankesave.

“Për rreth 24 ore, prej kur e kam parashtru ankesen dje, numri i ankesave të paraqitura në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorëve është shtu për 35. Garant shumica ose krejt kundër Ipko-s. Kjo tregon që qytetaret i ndjekin procedurat ligjore të ankesës, por problemi është që 806 qytetarë (67% e ankesave) nuk kanë marrë përgjigje. Kjo ndodhë se janë vetëm katër zyrtarë që shqyrtojnë krejt këto ankesa. Ajo çfarë ndodhë tash, është që këta 806 konsumatorë që kanë parashtru ankesë ndaj bizneseve, nuk marrin përgjigje edhe frustrimi i tyre kalon prej bizneseve tek burokracia shtetërore, dhe keshtu bie besimi në institucione.

Ai bën apel se Qeveria duhet t’i ridrejtojë resurset në ato departamente që trajtojnë shqetësimet e qytetarëve, si në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorëve, Inspektoratin e Punës, Inspektoratin e Tregut e në Inspektoratin Shëndetësor. /Buletini Ekonomik/

Të ngjashme