Deputetët kërkojnë rritjen e taksës ndaj Serbisë, shkak lobimi kundër anëtarësimit në Interpol

Prishtinë | 20 Nën 2018 | 13:22 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka raportuar në Komisionin për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, lidhur me realizimin e planit të punës së këtij viti dhe planifikimet për vitin e ardhshëm.

Ministri Shala ka folur për miratimin e ligjeve të cilat kanë qenë të sponsorizuar nga MTI-ja, që nga koha kur ka ardhur në krye të MTI-së.

Ai tha se janë miratuar 7 ligje të sponsorizuara nga MTI-ja. Shala ka folur edhe për prioritetet e kësaj ministrie.

“MTI përkrah ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për përmirësimin e standardeve të cilësisë. MTI ka punuar në afrimin e mëtejmë të kornizës ligjore me atë të BE-së. MTI punon për të promovuar dialogun publiko-privat, që janë organizuar në disa qytete të Kosovës. MTI ka punuar në organizimin e forumeve për investimet në Prishtinë dhe qytetet tjera të botës për të promovuar potencialin e Kosovës për investime”, tha Shala, raporton Ekonomia Online.

Shala tha se në nëntor të këtij viti është marrë vendimi për ndalesën e shitjes së pijeve dhe duhanit për personat nën 18 vjeç. Ai tha se kjo urdhëresë sipas informatave në terren është duke u zbatuar në mënyrë të kënaqshme.

“Pas kësaj urdhërese, subjektet ekonomike janë duke e zbatuar në mënyrë të kënaqshme”, tha Shala.

Muharrem Nitaj, tha se dje sipas disa informatave, çmimi i miellit është rritur dhe ai pasoj e kësaj do të ndikoj edhe në rritjen e çmimit të bukës.

“Nëse çmimet e miellit janë rritur prej 10%, buka shtrenjtohet për 3 cent”, tha ai.

Shala tha se Republika e Kosovës mbulon 80%, nevojat me grurë dhe nuk ka nevojë tregtarët të rrisin çmimet pasi që ka mjaft rezerva.

“Mundësia që të kontrollojmë një ngritje jo të ligjshme apo jo nevojshme të çmimit të miellit të bukës, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës është kompetent dhe kam kërkuar të fillojnë të ekzekutojnë mandatin e tyre sepse nuk ka nevojë për rritjen e çmimeve sepse ka rezerva”, tha ministri Shala, raporton EO.

Deputeti i PSD-së, Dardan Sejdiu tha se taksa prej 10% është e mirë, por e pamjaftueshme. Ai tha se ministri Shala duhet te fokusohet më shumë në luftimin e disbalancit tregtar dhe për ligjin për tregtinë e brendshme dhe atë të jashtme.

Deputeti i Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se duhet të ketë një strategji të qartë për të bërë balancin tregtar të importeve dhe eksporteve.

“Nuk mundemi me e ngjall ekonominë e Kosovës pa i zëvendësuar importet, nuk kam parë ndonjë strategji të qartë se si me i zëvendësuar importet dhe ky balanc tregtar që është me 90 me 10, nuk shoh që Qeveria e Kosovës ka plan të qartë se kjo balancë me u kthy në favor të Kosovës”, tha Konjufca.

“Shtrenjtimi i bukës ka ardhur për shkak të taksës që është vendosur edhe në grurë”, tha Hikmete Bajrami.

Deputetët, Hikmete Bajrami dhe Memli Krasniqi përmendën garancionin bankar për projektin e Brezovicës, ku sipas tyre kthimi prapa do ishte një rrezik për Kosovën dhe do ta dërgonte në një arbitrazh.

“Garancioni bankar për projektin e Brezovicës, është paguar një dënim prej 500 mijë euro për mos realizimin e projektit, një kthim prapa do ishte problematik dhe i rrezikshëm për të ardhmen”, tha Krasniqi.

Krasniqi tha se heqja nga tregu u lodrave kancerogjene është një vendim i mirë i marrë nga MTI, po ashtu edhe për rritjen e taksës prej 10% ndaj shtetit të Serbisë dhe Bosnjës.

“Masa prej 10% konsideroj se është njëra ndër veprimet e duhura që ka marrë Qeveria e Kosovës, por në aspektin e tregtisë një pjesë e madhe e importeve vjen nga Serbia, relevancë më të madhe ka taksa drejtuar këtij shteti, dikush ose ndonjë tregtar mund ta keqpërdor këtë rast dhe të ngris çmimet. Në këtë drejtim është e rëndësishme përmes inspektoratit dhe ju të merrni kontroll të tregut për të mos lejuar rritjen e çmimeve nga tregtarët e papërgjegjshëm.  Mendoj se asnjë arsye nuk ka për rritjen e çmimit të bukës, sepse ka rezerva dhe nuk është vetëm Serbia vendi i cili mund të marrim miell”, tha Krasniqi.

Krasniqi tha se në një farë mënyre sot Serbia ishte shkas për mos pranimin e Kosovës në organizatën e Interpol-it dhe sipas tij Kosova më nuk duhet të tregohet e mëshirshme me shtetin e Serbisë dhe duhet të rrisë çdo taksë ndaj këtij vendi.

“Mendoj që ne duhet të ndërmarrim veprime konkrete që taksa prej 10% të rritet mbi 25% më nuk kemi hapësirë për të shprehur mirëkuptimin për këtë çështje”, tha Krasniqi.

E për këto probleme, ministri Shala tha se duhet rregullim përmes ligjit.

“Është mundësi e Kosovës që të gjitha problemet që hasin prodhuesit tanë të i rregullojnë përmes ligjit për tregti të brendshme dhe jashtme”, tha ministri Shala.

Ai foli edhe për shkarkimin e sekretarit të MTI-së, nga ish ministri Bajram Hasani.

Ministri Shala tha se ministri i kaluar nuk e ka shkarkuar sekretarin, por e ka suspenduar për 30 ditë, deri më tani ai tha se është i kënaqur me punën e sekretarit të përgjithshëm të MTI-së.

Shala tha se produktet që kanë rritur eksportin janë verërat, druri, IT, mineralet dhe shërbimet tjera.

“Jam ministri i parë që kam takuar gjithë inspektorët e tregut të Kosovës kam kërkuar bashkëpunim në mes tyre”, tha ai, raporton EO.

Shala tha se inspektimin për lodrat do ta vazhdoj dhe së fundi ka kërkuar edhe nga ministri i MASHT, Bytyqi për të kërkuar nga inspektorati i arsimit.

Shala tha se inspektimi për lodrat do ta vazhdoj dhe së fundi ka kërkuar edhe nga ministri i MASHT-it, Shyqiri Bytyqi, për të kërkuar nga inspektorati i arsimit për të inspektuar çerdhet për përdorimin e lodrave që janë aty.

“Fokusi ynë do vazhdoj në lodra, kam kërkuar nga ministri i MASHT-it që inspektorati i arsimit të fillojnë me inspektim edhe në çerdhe sepse kemi informata që lodra të tilla ka edhe nëpër çerdhe”, tha ai.

 

 

 

Të ngjashme